GJKKO ka shpallur fajtor ish anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo për akuzën e fshehjes së pasurisë. Ai u dënua me 9 muaj burg, por iu konvertua në 80 orë pune në shërbim të publikut.

Për llojin e punës dhe ditët do të ngarkohet shërbimi i provës.

“Në seancën e kaluar, SPAK kërkoi dënimin me 1 vit burg por të pezullohej dhe të vendosej me 2 vite shërbim prove. Ndryshe mendoi gjykata duke e dënuar me 9 muaj burg por duke e konvertuar në 80 orë në shërbim komuniteti, që duhet ta shlyejë brenda 6 muajsh.”, raportoi gazetari Ermal Vija.

Sipas SPAK, Lulo nuk justifikon me burimin e të ardhurave një apartament në Tiranë dhe një zyrë me sipërfaqe 172 m2 e deklaruar si e dhuruar në rrugën e Durrësit.

Gjyqtari kushtetues u shkarkua nga vettingu më 23 mars 2018, vendim i lënë në fuqi edhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.