Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se forcat amerikane të premten “kanë shkatërruar” objektiva në ishullin iranian Kharg, ku ndodhet terminali kryesor për eksportin e naftës së Iranit. Megjithatë, ai pretendon se janë goditur vetëm objektiva ushtarake dhe jo terminalet e naftës.

Kryetari i parlamentit iranian më herët kishte paralajmëruar se sulme të tilla do të shkaktonin një nivel të ri hakmarrjeje.

Në një mesazh në Truth Social, Trump tha se kishte vendosur që infrastruktura e naftës të mos ishte objektiv, por se mund të bëhet në të ardhmen nëse Irani vazhdon me bllokimin e Ngushticës së Hormuzit.

“Armët tona janë më të fuqishmet dhe më të sofistikuarat që bota ka pasur ndonjëherë, por, për arsye mirësjelljeje, vendosa të mos e shkatërroj infrastrukturën e naftës në ishull. Megjithatë, nëse Irani, ose kushdo tjetër, bën diçka që do të pengonte kalimin e lirë dhe të sigurt të anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit, do ta rishqyrtoj menjëherë këtë vendim”, pohoi ai.

Lideri amerikan shtoi gjithashtu se Irani “nuk ka asnjë aftësi për të mbrojtur” objektivat amerikane në rajon dhe se “nuk do të ketë armë bërthamore”.

“Ushtria iraniane dhe të gjithë të tjerët të përfshirë në këtë regjim terrorist duhet të dorëzojnë armët dhe të shpëtojnë atë që ka mbetur nga vendi i tyre, që nuk është shumë”, tha presidenti amerikan.

Ndërkohë, një zyrtar amerikan tha se edhe 2500 marinsa shtesë dhe një anije amfibe sulmuese po dërgohen në Lindjen e Mesme, pothuajse dy javë pas fillimit të luftës me Iranin.

Irani ka vazhduar me sulme masive me raketa dhe dronë ndaj Izraelit dhe shteteve fqinje të Gjirit, duke mbyllur efektivisht Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e tregtisë botërore të naftës, ndërsa aeroplanët amerikanë dhe izraelitë bombardojnë objektiva ushtarake dhe të tjera në të gjithë Iranin.

Ndryshe, këto zhvillime tregojnë se lufta, e cila tashmë ka zgjatur dy javë, nuk po i afrohet fundit. 

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *