(FOTO: Abu Bakr al-Baghdati, udhëheqës i ISIS)/

Udhëheqësi i “Shtetit Islamik”, Abu Bakr al-Baghdadi, ka pranuar humbjen në Irak dhe ka urdhëruar militantët xhihadistë t’ia mbathin për të shpëtuar, ose të vetëvriten në sulme kamikazë.

Ideatori i terrorizmit thuhet të ketë lëshuar një deklaratë të quajtur “fjalimi i lamtumirës”, e cila është shpërndarë mes predikuesve të ISIS-it dhe klerikëve në disa pjesë të Irakut, që janë ende nën kontrollin e xhihadistëve.

Sipas mediave lokale, ai u ka bërë thirrje mbështetësve të ikin e të fshihen, ndërsa “luftëtarëve jo-arabë” u ka thënë të rikthehen në vendet e tyre dhe të hedhin veten në erë, sipas premtimit “72 gra në qiell”.

Lajmet për deklaratën, e cila gjithsesi nuk është verifikuar ende, vjen në një kohë kur ushtria irakiane e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara mori kontrollin e rrugës së fundit më të madhe në perëndim të Mosulit, që ishte në duart e ISIS-it.

Sipas “Al Arabiya”, rrjeti televiziv irakian “Alsumaria” po raporton se al-Baghdadi ka pranuar humbjen në këtë shtet.

Vendndodhja e saktë e udhëheqësit të terrorizmit mbetet ende mister, pavarësisht se ka pasur raportime të vazhdueshme se ai ose është plagosur rëndë, ose është vrarë gjatë konfliktit.

Muajin e kaluar u raportua për herë të fundit se ai ishte “plagosur në gjendje të rëndë” nga një sulm ajror në veri të Irakut.

Pentagoni, deklaroi në dhjetor se besonte që shefi i ISIS të ishte ende gjallë, pavarësisht përpjekjeve nga koalicioni i udhëhequr prej Amerikës për ta vrarë udhëheqësin e grupit xhihadist.

/Veritas.com.al/