(FOTO: Kryeministri i Izraelit, Netanyahu në Kombet e Bashkuara)

 

Udhëheqësi izraelit është i dyshuar nga drejtësia se ka marrë dhurata të shtrenjta. Ai i mohon akuzat, duke thënë se “nuk ka asgjë”, në këto çeshtje.

Dosja ndodhej në zyrën e prokurorit të përgjithshëm, Avichai Mandelblit prej muajsh. Marrja në pyetje e kryeministrit të hënën, 2 janar, është konsideruar si e pashmangshme nga shtypi izraelit. Benjamin Netanjahu do të merret në pyetje nga policia për dy raste korrupsioni, pas hapjes së një hetimi penal nga prokurori i përgjithshëm në fund të vitit 2016. Ndërsa detajet e rastit të parë janë publikuar në vazhdimësi nga mediat izraelite, akuza e dytë mbetet misterioze.

Në rastin e parë, Netanjahu kish marrë dhurata dhe favore nga dy biznesmenë, njëri prej të cilëve është izraelit. Jo të holla apo transferta bankare, por as dhurata “simbolike” apo “me vlerë më të ulët”, saktësonte në numrin e të dielës e përditëshmja Haaretz. Përkundrazi, policia dyshon se shuma e përgjithshme e këtyre dhuratave arrin në qindra e mijëra sikla.

 

“Nuk ka asgjë”

Hetimi i koordinuar mes shërbimeve të policiës dhe të inteligjencës ka nisur nëntë muaj më parë. Që nga qershori 2016, njësia e antikorrupsionit Lahav 433 (ekuivalent izraelit i FBI-së), ka marrë në pyetje mbi pesëdhjetë persona, dhe ka marrë masa që informacioni të mos rrjedhë në media. Eshtë pyetur Ron Lauder, një biznesmen i pasur i ardhur nga Nju Jorku për funeralin e ish-presidentit izraelit Shimon Peres në shtator. Nëse miliarderi hebre amerikan pohoi se ka qenë bujar “për miqësi” ndaj Netanjahut dhe familjes së tij, policia dyshon se shuma e shpenzuar është më e lartë nga sa reklamohet.

Pas këtyre seancave, dhe në dritën e dokumenteve të reja, Avichai Mandelblit dhe prokurori i shtetit Shai Nitzan, vendosën ta riklasifikojnë hetimin paraprak në penal me qëllim që të thërrasin në pyetje të interesuarin. Që më 12 dhjetor, sipas kanalit televiziv izraelit Channel 2, Mandelblit kishte informuar kryeministrin, i cili kishte kërkuar që ta presin sa të kthehej nga vizita e tij zyrtare në Kazakistan dhe Azerbajxhan për të rënë dakord për një datë.

Marrja në pyetje, e njohtuar nga shtypi për këtë të hënë, ishte përgatitur paraprakisht nga Njësia Kombëtare e antievazionit, e kryesuar nga Shlomo Meshulam. Qe parashikuar që përgjigjet Netanjahu të transmetohen direkt në zyrat e Lahav 433 për t’u trajtuar në çast, dhe për të lehtësuar vazhdimin e marrjes në pyetje.

Të dielën në mbledhjen e kabinetit, Netanjahu i mohoi edhe njëherë akuzat e bëra ndaj tij, duke përsëritur se “nuk do të dalë asgjë, sepse nuk ka asgjë“. Ai i këshilloi gjithashtu përfaqësuesit e opozitës që të “qetësohen“; dje, Isaac Herzog, lideri i Partisë Laburiste, kishte deklaruar se akuzat për korrupsion kanë cënuar imazhin e Kryeministrit.

Një çeshtje “modeste”

Në të vërtetë, akuza të ngjashme kundër zotit Netanjahu nuk janë të reja. Në nëntor 2016, prokurori i përgjithshëm ka urdhëruar një hetim policor për rolin e tij në blerjen nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes të tre nëndetëseve gjermane. Kanali televiziv Channel 10 kishte zbuluar më herët se David Shimroni, avokati personal i Kryeministrit, ishte pjesë e bordit të një filiali të prodhuesit gjerman ThyssenKrupp. Apo edhe në korrik, Netanjahu arriti më në fund të pranonte se kishte marrë para nga manjati francez Arnaud Mimran, i dënuar ky vetë për mashtrim.

Disa nga të afërmit e saj besojnë në një komplot për ta minuar. David Amsalem, deputet i Likudit (partia e djathtë e kryesuar nga Netanjahu), ka reaguar ndaj vërejtjeve të Herzog-ut, duke deklaruar se do të paraqesë një projekt-ligj për të ndaluar hetimet për një kryeministër në detyrë.

Megjithatë, me tone të zbutura Haaretz deklaron se “çështja e dhuratave dhe përfitimeve” mbetet “modeste” për Netanjahun, në krahasim me të tjera çështje ku kanë qenë të përfshirë disa nga paraardhësit e tij. Për të përmendur vetëm një, atë të Holyland-it në vitin 2010, një skandal të pasurive të patundshme në të cilin Olmert kishte pranuar ryshfete, në kohën kur ishte kryetar i bashkisë së Jeruzalemit në 1993-2003. I akuzuar për korrupsion, ai u dënua me gjashtë vjet burg, para se t’i reduktohej dënimi në tetëmbëdhjetë muaj, me vendim të Gjykatës së Lartë, në dhjetor 2015.

/Vdritas.com.al/