Mesdita e kësaj të marte, kryeministrin Edi Rama e gjeti në “Bunin e Bajraktarëve” në Bogë. I shoqëruar nga Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin e njëkohësisht drejtuese politike e Shkodrës, Elisa Spiropali, ose siç preferon ta quajë në video “Mamica” dhe kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Beci, ose siç thotë kreu i qeverisë, “Vrana Konti”, ishin në “Ballkonin e Perëndisë”, 1700 metra mbi nivelin e detit.
E aty, kryeministri paralajmëroi një ngjitje drejt Thethit për të diskutuar me sipërmarrësit atje për një program të ri të mbështetjes për investime në këto male. Sipas Ramës, paketa e re do të kthejë në banesat e të parëve, shqiptarët që janë larguar për të fuqizuar më shumë ekonominë falë agroturizmit.
“Do të diskutojmë atje me ata të cilët kanë hapur dyert dhe e kanë kthyer Thethin në një destinacion europian turistik për programin e ri, paketën e re të mbështetjes për investimet në këto male e cila do u hapë rrugë të gjithë atyre të cilët i kanë lënë këto male në kërkim të një jete më të mirë dhe kanë punuar e punojnë pa pushim, e kanë kursyer dhe kursejnë që kursimet e tyre t’i investojnë në tokat e të parëve me një lehtësi të plotë pa pasur më ato hallet e pafundme të zinxhirit të pronave e pa pasur as nevojë të kalojnë në të gjithë atë procedurë që kërkon firmat e të gjithëve që janë të shpërndarë lart e poshtë, me një mbështetje të fuqishme qoftë në aspektin e dhënies së lejeve për të rihapur shtëpitë e të parëve, për të ndërtuar agroturizmat, për të fituar shumë më tepër seç fitojnë nga puna e lodhshme në shërbim të të tjerëve atje ku janë dhe njëkohësisht për t’i dhënë mundësi ekonomisë që të fuqizohet akoma më shumë falë turizmit e falë miliona e milionave turistëve që po mësyjnë në Shqipëri, edhe më shumë këtë vit se 10 milionët e vitit të shkuar që do të thotë, shumë më tepër të ardhura, shumë më tepër konsum, shumë më tepër punë për të gjithë zinxhirn e prodhimeve të vendit, e mbi të gjitha shumë më tepër krenari për Shqipërinë”, tha Rama.