Nga L. Skiro
Qysh nga ditët më stresuese ‘të Çadrës’, nuk ishte përmendur më fjala ‘luftë’, as ‘revolucion’ as ‘armatosje’. Zhvillimet e qeta të fushatës elektorale u interpretuan më shumë si ‘marrëveshje, dhe ‘dashuri’ mes dy partive të mëdha PS dhe PD. Ndoshta është kjo ‘dashuri’ që po ‘dhunon’ të drejtat e më të vegjëlve, të cilët bëjnë kryengritje.
Kryengritja e LSI kundër dy partive ‘në aleancë’, siç i quan PS dhe PD, ka nisur prej ditësh, që me largimin nga detyra të disa zyrtarëve shtetërorë të LSI, nga procedimi penal i disa anëtarëve të tjerë të LSI, etj. Dje në fshatin Robosht të Lezhës, ku LSI pretendon se ka një bastion të fortë, disa militantë të PS kanë dhunuar kryetarin e LSI-së për zonën, Gjovalin Gjini.
Menjëherë pas dhunës së ushtruar mbi Gjinin, që e ka lënë me plagë të konsiderueshme, kandidati për deputet i LSI, Viktor Tusha- ish kryetar i Bashkisë Lezhë, ka identifikuar autorët dhe i ka bërë thirrje kandidates socialiste e Ministre e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ‘që të tërheqë dhe të kontrollojë’ militantët e dhunshëm.
Sot, kryetar i Kuvendit, ish- kryetar i LSI dhe president i zgjedhur i Republikës, Ilir Meta ka deklaruar fjalë ‘me armë’ për mbrojtje ose hakmarrje në emër të LSI, në qoftë se policia ‘nuk lidh zagarët’.
Zoti Meta e ka bërë deklaratën nga ‘vendi i ngjarjes’ dmth., nga Raboshta e Lezhës ku po dergjet edhe kryetari i LSI, Gjovalin Gjini i dhunuar nga militantë të PS.
“Populli do armatoset nëse policia si lidh zagarët”, kjo ka qenë deklarata e fortë e Metës, duke iu referuar të fortëve që kanë dhunuar mbështetësit e LSI-së.
Edhe koha e mënyra se si ka shkuar zoti Meta në Lezhë është tregues i tensionit dhe i nervave të ngritura në fushatë. Menjëherë sapo ka përfunduar seanca e parë e jashtëzakonshme e Kuvendit, Meta është nisur për në Lezhë ku ka lëshuar edhe deklaratat ‘luftarake’.
Si për ta bërë edhe më të ‘qëndrueshme’ deklaratën për ‘armë, zoti Meta ka përsëritur në mënyrë më të plotë:
“Unë do të armatos popullin nëse policia nuk do ti lidhë këta zagarë”, ka thënë Meta në hyrje të spitalit të Lezhës.
Ndërkaq Meta është shprehur se “emrat e dhunuesve ia kam dhënë drejtorit të Policisë së Lezhës”.
Fjalët ‘për armë’ po përdoren vetëm një javë para ditës së votimeve. Fakti që përdoren nga LSI që po konsiderohet e ‘dhunuar’ nga dy partitë e mëdha, dëshmon se është një shenjë e ‘rrethimit’ të kësaj partie dhe e një nervozizmi që vjen natyrshëm nga ideja se ‘të dy të tjerët po e sulmojnë’. Kjo është edhe arsyeja për të menduar se dhuna nuk ka shanse që të zgjerohet.
Veritas.com.al/