Vetëvritet gazetari Kastriot Myftaraj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur këtë të enjte rreth mesdites, në kryeqytet dhe është konfirmuar nga policia. Blutë në njoftimin paraprak bëjnë me dije se gazetari është vetëhedhur nga kati i katërt i banesës ku banonte në lagjen “Ali Demi”.
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 07.07.2022, rreth orës 12:55, në lagjen “Ali Demi”, dyshohet se është vetëhedhur nga kati i katërt i banesës ku banonte, shtetasi K. M., 60 vjeç, i cili si pasojë ka ndërruar jetë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Lajmin për një vetëvrasje të tij e ka konfirmuar e ëma e tij për policinë e cila ka treguar të gjithë skenën që kishte ndodhur. Raportohet se gazetari prej disa javësh nuk shfaqej në emisione ndërsa nuk dihej nëse ka patur shqetësime shëndetësore.
Prej kohësh ai drejtonte emisionin “Ju flet Moska”. Emisioni i fundit i gazetarit “Plan për atentat ndaj një pronari mediatik“ ishte më 17 qershor.
Prej kësaj date, analisti nuk ishte shfaqur më në ekran.
Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se Myftaraj ishte diagnostikuar me kancer para një jave dhe ndodhej në gjendje të rënduar psikologjike.
“Më datë 07.07.2022, rreth orës 12:55, në lagjen “Ali Demi”, dyshohet se është vetëhedhur nga kati i katërt i banesës ku banonte, shtetasi Kastriot Myftaraj, 60 vjeç, i cili si pasojë ka ndërruar jetë”, njoftoi policia.