Nga: Laert Skiro

Të dy ‘arritjet’ e presidentit të Republikës, Ilir Meta, u shënuan brenda ditës, e premte 24 korrik 2020.

Ndërsa përmes panikut dhe nervozizmit që karakterizon presidentin e republikës para çdo ngrefosjeje, Ilir Meta iu ka treguar edhe një herë dhëmbët autorëve dhe ndihmësve të Reformës Zgjedhore, në të njëjtin moment ka humbur praninë e përfaqësueses së Shteteve të Bashkuara.

Përballë maxhorancës dhe opozitës parlamentare që hartuan dhe miratuan Reformën zgjedhore, presidenti Meta ka ngritur kërcënime të mëdha, i ngarkuar me emocione negative pse u arrit në përfundimin dhe votimin e Reformës Zgjedhore. Veç votimit të sotëm të reformës së shkruar në 5 qershor, Parlamenti ka vendosur që të mblidhet edhe një herë në 30 korrik për të votuar disa ndryshime në ligjin për listat e hapura. Presidenti ka kërcënuar se ‘ nuk do të ketë 30 korrik’. Madje në një intervistë televizive ka thënë se ‘ kush do që të vrasë veten, le të hodhët nga kati 20’. Deri para disa muajsh, presidenti kishte zgjedhur që para sikleteve të tilla mund të vriste veten, ndërsa tani e ka ndryshuar drejtimin e aktit të vrasjes.

Por paniku mbetet gjithnjë i njëjtë për presidentin e Republikës, sa herë ka risi dhe reforma.

Aktin e votimit të Reformës Zgjedhore në Parlament e ka përshëndetur ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, zonja Yuri Kim. Miratimi nga SHBA i jep më shumë zjarr zemërimit të presidentit të Republikës.

Po gjatë ditës së sotme, Meta i është përgjigjur egërsisht ambasadores së Amerikës; por kësaj here përgjigja ka qenë ‘ alias kineze’ ose sipas kancelarive diversive komuniste dhe liberale. Meta ka ftuar menjëherë ambasadorët e shteteve anëtare të BE në një konsultë mbi Reformën, si për t’u thënë se ka ankesa ndaj Amerikës. Pse e veçon presidenti BE-në nga SHBA? Të dy aleatët tanë kanë të njëjtën vijë dhe të njëjtën ndihmë ndaj Shqipërisë në reformat e saj. Atëherë konkluzioni është i qartë: Presidenti i Republikës bën shantazh mes SHBA dhe BE, duke qenë se ka dëgjuar lajme sikur të dyja aleatët nuk ‘ shkojnë mirë’ me njëri tjetrin.

Por edhe në këtë rast, presidenti Meta ka humbur si SHBA edhe BE në përpjekjen e tij për t’ i angazhuar kundër reformave, si dhe ka humbur qetësinë e tij para Parlamentit që e ka zgjedhur. Në fakt ky është Ilir Meta, nervoz, i ngrefosur dhe në panik.

VERITAS.COM.AL