Shkrimtari Ismail Kadare, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Studio e Hapur” të gazetares Eni Vasili në Neës 24, kometon gjerësisht polemikat ku është përfshirë me analistin Fatos Lubonja pas botimit të librit të Dashnor Kaloçit “Kadare në dokumentet e Pallatit të Ëndrrave”.

Fatos Lubonja njihet si një ndër kritikët më të fortë të Kadaresë në këto 25 vitet e fundit dhe në gjyqin e tij ka implikuar të atin dhe Kadarenë si frymëzues të leximeve të fshehta dhe mendimeve të gabuara.

Por një dokument i fundit i botuar, një dëshmi e babait të Lubonjës i hedh poshtë këto ide. Todi shprehet se nuk i ka thënë apo biseduar këto me të birin. Për këto dhe shumë të tjera rrëfehet Kadare.

Ismail Kadare:

“Nga ana ime është absurde, këtë njeri e kam njohur shumë pak, pothuajse nuk e kam njohur fare, kam njohur vetëm babain e tij, është e parëndësishme, absurde, dhe pa kuptim. Ai është historian, unë jam shkrimtar. Besoj një farë shkrimtari është, i rëndomtë, nuk dua ta fyej, s’po përdor fjalën mediokër, por është krejtësisht i rëndomtë si shkrimtar. Dhe me sa duket krijon legjenda të tilla për ta bërë tepër interesant emrin e vet. Nuk jam përzier në punët e tij asnjëherë, me Todi Lubonjën unë kam patur shoqëri, miqësi, dhe po ju them, kur ai u fut në burg si komplotist, të gjithë njerëzit që njiheshin me të, që rrinin me të, janë pyetur për të thënë atë çka dinin për këtë “armik”.

Se kështu ishte stili atëherë, kur arrestohej një njeri, një turmë e madhe njerëzish, të afërm shokë, miq, të gjithë pyeteshin. Unë jam pyetur në Kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve, zyrtarisht. Deklarata ime për Todi Lubonjën është e dokumentuar, me datë, me vulë, me të gjitha. Dhe kam thënë: ‘Unë nuk kam kuptuar ndonjë gjë armiqësore te Todi Lubonja, veç shakave që bënte shpesh të tepruara, por që ishin në formë humori’. Gjëja kryesore që kam thënë, është se ai më lavdëronte mua në mënyrë të tepruar.

Ndoshta më ka bërë dëm si çdo njeri, kur lavdërohet shumë, dëmtohet. Kanë qeshur ca, ca s’kanë qeshur. Kjo ka qenë e vetmja dëshmi. Ndërsa del tashti, dhe me një kuriozitet unë kam parë dokumentet, që i biri i tij ka mbajtur tjetër qëndrim. Sipas këtyre dokumenteve, po e përsëris sipas këtyre dokumenteve, ai e ka akuzuar babanë, e ka zhytur thellë e më thellë. Këtu është ndoshta edhe armiqësia, ndaj e quaj absurde. Unë isha miku i tij, ai vendosi të godasë babanë. Por s’kishte punë me mua, s’kishte pse ta theksonte këtë. Le të më zbulonin të tjerët nëse isha armik si i ati i tij”,- thotë Kadare.

Shkrimtari thotë gjithashtu se Fatos Lubonja e urrente të atin, ndërsa shton se e gjithë se i është shmangur gjithë kësaj historie për librat e ndaluar, se i duket vulgare dhe e ulët.

“Këtu s’ka ndonjë kontradiktë të madhe, por të thjeshtë, njerëzore, të trishtueshme. Ka patur vërtet atë që njihet si urrejtje ndaj të atit, por kjo teori përkrahet kudo në botë. Ky ka patur një nervozizëm, se me këto dokumente që kanë dalë ai vihet me shpatulla për muri. Ai duhet t’i hedhë poshtë ato, se ai thotë ‘unë s’kam folur me ty’, ai thotë ‘ke folur kundër Enverit’. Ka diçka që nuk shkon, mund të mos thotë asnjëri të vërtetën, apo të dy të thonë të vërtetën, të ketë keqinterpretime. Me sa duket si letrar i ri papeshë, mendon se kjo do t’ia ngrejë peshën. Fatos Lubonja nuk është shkrimtar i ri i arrestuar, por është djali i Todi Lubonjës që u arrestua. Fatos Lubonja mund të kërkojë aureolën e vet, por nuk ka të drejtë të shpifë për të tjerët.

Nuk ka të drejtë të thotë se unë paskam qenë furnizues i Todi Lubonjës me libra të ndaluar. Unë mund të kem dhënë ndonjë libër të ndaluar. Por i biri thotë që i ka dhënë, kur Todi vetë thotë nuk më ka dhënë. Ky është një llum kaq i madh, sa të vjen turp ta bisedosh. Kanë kaluar kaq vite, dhe unë i jam shmangur shpjegimeve sepse më duket kaq vulgare, e ulët”,- thotë Ismail Kadare për Televizionin.

Veritas.com.al/