Janë bërë publike pamjet nga helikopteri të tragetit që u përfshi nga flakët në orët e para të mëngjesit. Në imazhe duket se si kamionët janë tërësisht të shkrumbuar ndërsa dyshohet se zjarri është shkaktuar pikërisht prej tyre, por mbetet ende pa u verifikuar.
Ndër të tjera, vijon ende të dalë tym nga trageti dhe mbeten rreth 11 persona të zhdukur. Kjo është bërë e ditur nga numërimi i personave të tjerë që kishin hipur në varkat e shpëtimit. Operacioni i kërkim-shpëtimit vijon ende për të gjetur pasagjerët e zhdukur ndërsa 2 mësohet se janë bllokuar brenda anijes.
Në bordin e anijes ndodheshin 239 pasagjerë dhe 51 anëtarë të ekuipazhit. Sapo është përfshirë nga flakët, kapiteni i tragetit ka kërkuar dhe urdhëruar braktisjen e saj dhe pasagjerët hipën menjëherë mbi varkat e shpëtimit.Në vendngjarje mbërritën menjëherë tre anije të rojës bregdetare greke, rimorkiatorë dhe anije të tjera që ndodheshin pranë.