KOMENT/

Shtete e Bashkuara të Amerikës u ka dhënë autoriteteve shqiptare recetën për të fituar besimin dhe investimet e amerikanëve. Mesa duket amerikanët me reagime te vazhdueshme nuk do të lejojnë që kaosi me pronat në vendin tonë të vazhdojë më gjatë dhe këtu ata do të forcojnë edhe më shumë sistemin e drejtësisë. Ditën e djeshme, ambasada e SHBA në Tiranë, teksa ka shpërndarë pamjet nga një takim i Yuri Kim sa i takon ekonomisë, ka dhënë mesazhe të qarta për qeverinë shqiptare. “Teksa kremtojmë 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike, ne festojmë nivele rekord të tregtisë dhe investimeve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me drejtues biznesi, zyrtarë të qeverisë dhe të tjerë për të rritur tregtinë dhe investimet, dhe përgjatë këtij procesi duke krijuar më shumë vende pune, zhvillim dhe mundësi të barabarta për amerikanët dhe shqiptarët”, thuhet në shkrimin e ambasadës së SHBA. Amerikanët janë të bindur se zgjidhja e të drejtave të pronësisë do të tërheqë më shumë investime. Për SHBA, Reforma në drejtësi është thelbësore për këtë përpjekje. “Reforma në drejtësi është thelbësore për këtë përpjekje, sepse investuesit duhet të kenë besimin se rregullat janë të qarta, transparente dhe zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë. Edhe zgjidhja e të drejtave të pronësisë gjithashtu do të tërheqë më shumë investime”, përfundon deklarata e ambasadës amerikane në Tiranë.

 Kim: Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm ekonomik

Ambasadorja Yuri Kim prej kohësh e ka vënë  theksin te reforma e pronave. Diplomatja amerikane edhe më parë është shprehur se investimet amerikane në Shqipëri rriten, kur luftohet korrupsioni, ndërsa ka shtuar se është e domodsoshme që të kemi në vend gjykata të pastra në rast mosmarrëveshjesh. Sipas saj, Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm ekonomik që duhet vlerësuar. “Duke pritur për më shumë punë me Shqipërinë dhe autoritetet e Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri për të rritur investimet Amerikane në Shqipëri. Esenciale për të pasur rregulla të qarta që zbatohen për të gjithë, gjykata të pastra në rast mosmarrëveshjesh, të drejta të besueshme pronësie, transparencë në prokurimin publik. Tetorin e kaluar, ne vendosëm kuadrin për një bashkëpunim më të madh ekonomik mes SHBA-ve dhe Shqipërisë. Investimet amerikane do të rriten ndërsa korrupsioni & pengesat e tjera do hiqen. Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm ekonomik që duhet vlerësuar dhe zhvilluar plotësisht”, ka thënë pa kokë më parë Yuri Kim.

 Raporti për Kadastrën, Yuri Kim: Hapa të tillë tërheqin investime amerikane

Sinjalet e qarta, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë, pas publikimit të raportit të Agjencisë së Kadastrës në lidhje me mangësitë dhe krimet e mundshme në Durrës për pronat. “Ne presim hapa konkretë për të mbajtur përgjegjës përgjegjësit, për të rritur transparencën dhe për të mbyllur mundësitë për korrupsion, kur bëhet fjalë për regjistrimin e pronave në Durrës dhe gjetkë në Shqipëri”, ka thënë SHBA. Sipas ambasadores Yuri Kim, hapa të tillë do të tërheqin më shumë investime, përfshirë edhe nga SHBA-të. “Ata gjithashtu do të bëjnë të qartë se Shqipëria është gati për t’u anëtarësuar në BE”. Kujtojmë se më datë 31 mars drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame, në një konferencë për shtyp bëri me dije se në drejtorinë e Durrësit nga ngritja e një grupi pune, që ka inventarizuar shkresat është nxjerrë një raport prej 600 faqesh të detajuar. “Interesat pasurore dhe ekonomike në Durrës arritën më shpejt në Durrës. Për shkak të këtyre interesave kishte edhe një dëmtim më të lartë. Siç jeni në dijeni për shumë vite kjo është një pjesë e turpi”, u shpreh Lame pak kohë më parë. Sakaq që prej marrjes së detyrës Lame ka njoftuar se Kadastra e Durrësit do të mbyllej dhe do të zhvendosej në Tiranë. “Muajit e fundit ndërmorëm një aksion për ta hequr drejtorinë e Durrësit nga këto ambiente, në vijim të reformës të ndërmarrë nga qeveria për shërbimet online dhe për ta hequr nga kthetrat e atyre që e kishin bërë hipotekën e Durrësit si shtëpinë  e tyre”, vijoi Lame në fjalën e tij. Që në krye të herës, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pasi mori mandatin e tretë qeverisës ka theksuar në daljet e tij procesin e digjitalizimit. Lame nga ana tjetër ka deklaruar më herët se janë 56 milionë dokumente që do të digjitalizohen dhe kartelat e pasurisë do të jenë online./Sot/