Një vit e gjysmë pas vrasjes së komisar Artan Cuku, kapet në Greqi porositësi i krimit të rëndë që tronditi sigurinë në vend.

Policia e Shtetit njofton zyrtarisht se falë bashkëpunimit ndërkombëtar, ka rënë në praga i dyshuari kryesor për porositjen e vrasjes së ish-oficerit të lartë të Policisë Artan Cuku.

Në kuadër të shkëmbimit të informacioneve me zyrat homologe dhe bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën është finalizuar me sukses arrestimi në Athinë/Greqi, i personit në kërkim ndërkombëtar, Bledar Jambelli, alias Rikardo Muho, 38 vjeç, lindur në Fier.

Sipas hetimeve të kryera nga Policia e Tiranës në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, dyshohet se ky shtetas ka porositur vrasjen e komisar Cukut.

Kryekomisari u vra duke hyrë në shtëpinë e tij në Tiranë natën e 8 Prillit të vitit 2017. Ai u qëllua me 5 plumba, katër në gjoks dhe një në kokë.

Po nga hetimi rezulton se motivi i krimit lidhet me arrestimin e tij në kohën kur viktima kryente detyrën e Drejtorit të Policisë Vlorë.

Policia njofton se Jambelli ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ana e Policisë më datë 13.06.2017, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me vendimin nr. 292, datë 12.06.2017, ka vendosur masën e sigurisë Arrest me burg, për veprën penale “Vrasja e Punonjësit të Policisë së Shtetit” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 79/b dhe 25 të Kodit Penal. Arrestimi i tij në Greqi është kryer me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.

Veritas.com.al/