Dënimi i Fredi Belerit është pasuar nga një jehonë e fortë në mediat dhe politikën greke. Reagimet kanë qenë të shumta si nga qeveria, ashtu edhe nga opozita helene. “Kathimerini”, një nga gazetat më të mëdha në vend i ka kushtuar një hapësirë të rëndësishme, me disa shkrime kësaj çështjeje. Në një koment të Stavros Tzimas, një analist mjaft i njohur dhe me peshë në Greqi thuhet se dënimi i Belerit nga gjykata në Tiranë “nuk ka habitur askënd”.

“Përkundrazi, lirimi i tij do të ishte një surprizë, sepse në atë rast vendimi do të ishte një goditje për Edi Ramën. Me fjalë të tjera, “drejtësia e tij e pavarur” do të shfajësonte Belerin. Dhe për ata që e dinë se çfarë është Rama si personalitet, një zhvillim gjyqësor i ndryshëm nga ai aktual nuk mund të ekzistonte” – thuhet në shkrimin e të përditshmes greke.

Tzimas është i mendimit se vendimi për të dënuar Belerin, “nëse nuk ishte pjesë e planit të Ramës (që logjika thotë se ishte), sigurisht që i shërben dëshirës së tij të zjarrtë për ta parë Belerin të varur në trekëmbëshin politik, për ta nxjerrë jashtë politikës aktive dhe sigurisht për të mos e lejuar të marrë detyrën si kryetar bashkie, që ishte një vendim i popullit të Himarës”.

Në shkrimin e “Kathimerini”, thuhet se për momentin nuk ka lëvizje nga mbrojtja e Belerit për një ankesë kundër vendimit të shkallës së parë, por duhet konsideruar e sigurt se ajo do ta ushtrojnë këtë të drejtë.

“Megjithatë, edhe për Gjykatën e Apelit nuk duhet të ketë iluzione. Më së shumti ajo do të zvogëlojë dënimin që do të barazohet me kohën e paraburgimit dhe do ta lërë Belerin të lirë ose t’i jepet e drejta e vuajtjes së dënimit në arrest shtëpie. Rama nuk është aq i shqetësuar nëse Beleri do të jetë brenda apo jashtë burgut, edhe pse shquhet për hakmarrjen e tij si personalitet, për ta shfarosur atë politikisht.

Në këtë rast, Beleri nuk do të ketë të drejtë të marrë pjesë në zgjedhjet e reja për kryetar të Bashkisë së Himarës, të cilat, siç ka deklaruar vetë Rama, do të shpallen pas përfundimit të gjyqit të Belerit. Dhe tashmë me një bindje përfundimtare, për shkak të dënimit të tij, kryebashkiaku i zgjedhur, por asnjëherë i betuar nuk do të mund të jetë më një kandidat” – shkruan Tzimas.

Ai ngre pyetjen se cilat do të jenë tashmë lëvizjet e radhës të politikës së jashtme greke dhe si do të reagojnë aleatët europianë dhe amerikanë, të cilët sipas tij deri më tani kanë mbyllur sytë ndaj Ramës.

“Zhvillimet janë duke rrjedhur edhe në mediat shqiptare. Sipas tyre, ka rrjedhje të bisedave të regjistruara të Belerit me zyrtarë të qeverisë në Greqi, të cilat nëse shohin dritën e botimit mund ta vënë Athinën në pozitë të vështirë” – thuhet në shkrimin e Kathimerini.

Këtë të martë kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri u dënua nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me 2 vite burg. Ai u shpall fajtor për blerje votash në zgjedhjet e majit të kaluar.