Sot Koço Kokëdhima ka bërë thirrje në një status të tij në media sociale, si lider i Levizjes Politike që drejton, si ish-deputet dhe njeri i medias,-për të rrëzuar kryeministrin Rama ‘me çdo mënyrë dhe kusht’. Kokëdhima edhe para disa ditëve bëri thirrje për një ‘Avni Rustem të dytë’, kur po diskutohej falja e detit, bile nënkuptoi se do të ishte vetë një Avni Rustem për të mbrojtur kufijtë e shtetit shqiptar.
Dihet nga historia se Avni Rustemi vrau në Paris, Esad Pashë Toptanin pasi po shiste trojet shqiptare e ishte vënë nën urdhrat e qarqeve antishqiptare. Burime pranë shtabit luftarak të Kokëdhimës tregojnë se nuk ka nevojë, tani për tani, për një Avni Rustem. Por nuk tërhiqet Kokëdhima. Ai kërkon rrëzimin e kryeministrit me çdo mjet, bile thotë se do ta udhëheqë popullin personalisht. Një zotim i madh ky. Duke ditur se zoti Kokëdhima ka origjinë nga Qeparo i Himarës, nga ana e Gardës së Republikës janë marrë masat me eskortë shtesë për kryeministrin Rama, kurse segmente të SHISH ndjekin në çdo lëvizje Kokëdhimën dhe raportojnë te Endri Fuga dhe Taulant Balla, sipas gazetës Koha Jonë.
Deklarata e Koço Kokëdhimës:
“Unë kam përkushtimin, kurajon, dijet, forcën, urtësinë dhe vendosmërinë e palëkundur që ta udhëheq popullin tonë drejt shembjes së tiranisë që na sundon. Zgjohuni! Kush e ka dorëzuar lirinë për pak para, siguri dhe paqe nuk meriton as liri, as para, as siguri dhe as paqe. Të ngrihemi të gjithë në këmbë dhe t’i përmbysim kusarët dhe kriminelët që mbajnë peng Shqipërinë prej 27 vitesh! Mos u trembni! Ne s’kemi çfarë të humbasim. Shqipëria është kthyer në parajsë për tiraninë e hajdutërisë dhe ferr për popullin e thjeshtë që shtypet e dëbohet pa mëshirë. Nga kjo luftë do të fitojmë lirinë, jetën, të ardhmen; do të fitojmë Shqipërinë që kemi humbur. Ajo as na njeh, as na do dhe as na mban më! Për këto ia vlen të sakrifikojmë gjithçka!”.
Kryeministri ka kërkuar nga prokurorja e përgjithshme që të firmoset arresti për ish-deputetin e PS-së Koço Kokëdhima. Mësohet se janë mbledhur deklarimet e Kokëdhimës dhe po bëhej gati arrestimi i tij me akuzën “thirrje antikushtetuese që cenojnë rendin publik në Republikën e Shqipërisë”.
Të njëjtat burime thonë se ka ndërhyrë menjëherë ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, që të mos arrestohet, pasi vetëm sa i shtoni pikët politike duke e arrestuar. Por pala kryeministrisë insiston se Kokëdhima duhet ndëshkuar penalisht, ndonëse politikisht i hoqën mandatin e deputetit, bashkërisht PS-PD.
Nuk dihet sa do ta ndërlikojë situatën politike arrestimi i ish-deputetit Koço Kokëdhima me këtë akuzë, por akoma nuk dihet se sa i fortë do të jetë ministri Fatmir Xhafaj përballë dëshirës kryeministrore për arrest dhe vrapimit të prokurorisë për të firmosur fletë arrestin.
Burime pranë shtabit të Koço Kokëdhimës thonë se lideri Kokëdhima është gati për çdo akt të kryeministrit Rama dhe se shumë shpejt ai, pra Koço, do jetë në krye të një “ushtrie” popullore për të rrëzuar këtë bandë “kriminale”, siç thotë Kokëdhima. Nga ana tjetër po të njëjtat burime tregojnë për “Koha Jone” se segmente të pushtetit po hetojnë krejt pasuritë e vëna nga ish-deputeti Kokëdhima, që sot mbetet një nga biznesmenët me të mëdhenj të Shqipërisë. Një grup prej 12 vetash po hetojnë çdo pasuri, tender, privatizim, shtrim rruge të bëra nga firmat e Koços, etj. Ata po hetojnë që nga viti 1991, e cila është një kohë shumë e largët.
Ky hetim vjen pas sulmeve të Kokëdhimës për të rrëzuar nga pushteti, me forcë, kryeministrin Rama, shkruan KJ.
Veritas.com.al/