Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, shpërtheu në lot teksa kërkoi ndjesë si rrallë herë për dështimin e tij për të drejtuar vendin nëpër kohë të trazuar, të përkeqësuar nga shpërthimi i koronavirusit.
Duke folur në një paradë të madhe ushtarake të mbajtur në fundjavë për të shënuar 75-vjetorin e Partisë Popullore në pushtet. Kim hoqi syzet dhe fshiu lotët – një tregues, thonë analistët, e presionit në rritje ndaj regjimit të tij, raporton The Guardian.
“Njerëzit tanë kanë besuar tek unë, lart sa qielli dhe thellë si deti, por unë nuk kam arritur ta bëj këtë gjithnjë në mënyrë të kënaqshme”, ka thënë ai, sipas një përkthimi të komenteve të tij në Korea Times. “Më vjen shumë keq për këtë”.
Duke cituar gjyshin dhe babanë e tij, dy udhëheqësit e mëparshëm të Koresë së Veriut, Kim vazhdoi: “Edhe pse mua më është besuar përgjegjësia e rëndësishme për të udhëhequr këtë vend duke mbështetur kauzën e të mëdhenjve Kim Il-sung dhe Kim Jong-il, falë besimit të të gjithë njerëzve, përpjekjet dhe sinqeriteti im nuk kanë qenë të mjaftueshme për të çliruar njerëzit tanë nga vështirësitë në jetën e tyre”.
Ndërsa mbahej parada në kryeqytet, Pheniani paraqiti zbulimin e pritur të një rakete të re balistike ndërkontinentale dhe pajisjeve të tjera ushtarake.
Po gjatë kësaj parade, udheheqesi i Koresë së Veriut tha se në vendin e tij nuk ka më asnjë rast me koronavirus.