Kina ka në plan misionet në Hënë dhe pastaj në Mars në pesë vitet e ardhshme

Kina botoi të martën, më 27 dhjetor, Librin Bardhë në të cilin ajo detajon projektet e zhvillimit të industrisë së saj hapësinore. Ndër objektivat e saj afat-shkurtra për të kapërcyer prapambetjen e saj në këtë fushë: të dërgojë një sondë në sipërfaqen e fshehur të Hënës deri në 2018, dhe të nisë një sondë të parë në Mars deri në 2020.

“Të eksplorojmë kozmosin e gjerë, të zhvillojmë industrinë hapësinore dhe ta bëjmë Kinën një fuqi hapësinore është një ëndërr që ne e ndjekim pa u ndalur”, shkruhet në dokumentin me titull “Aktivitetet hapësinore të Kinës në 2016” dhe që paraqet strategjinë e Kinës për pesë vitet e ardhshme. Aty saktësohet se Kina po ndjek punimet e saj me qëllime paqësore, për të garantuar sigurinë kombëtare dhe për të kryer kërkime të avancuara shkencore.

Nga Hëna në Mars

Sonda hënore Chang’e-4 duhet të dërgohet që në 2018 dhe të sjellë informacione mbi formimin dhe evoluimin e satelitit tonë natyror. Pekini shpreson të organizojë misione robotike për të mbledhur mostra të dheut hënor dhe të jetë vendi i parë në botë që do të prekë anën e largët të Hënës, në 2018. Hemisfera e Hënës nuk është e dukshme nga Toka është fotografuar disa herë që nga viti 1959, por nuk është hulumtuar kurrë.

Libri i Bardhë sugjeron gjithashtu projektin kinez të lëshimit të një sonde të parë në Mars në 2020. Kina do të sillte mostra nga planeti i kuq, do të eksploronte sistemin e Jupiterit dhe “do të kryente kërkime mbi çështjet kryesore shkencore të tilla si origjina dhe evolucioni i sistemit diellor dhe kërkimi për jetë jashtëtokësore”.

Një simbol prestigji kombëtar

Botuar nga Zyra e Informacionit e Këshillit të çeshtjeve shtetërore, Libri i Bardhë thekson ambiciet në rritje të programit hapësinor kinez tashmë në ekspansion të plotë.

Kina i kushton një rëndësi të madhe zhvillimit të industrisë së saj hapësinore, e konsideruar si një simbol prestigji kombëtar. Pushtimi i hapësirës, i koordinuar nga shtabi i përgjithshëm i ushtrisë, perceptohet në Kinë si një simbol i pushtetit të ri të vendit nën udhëheqjen e Partisë Komuniste. Ndonëse Libri i Bardhë nuk e përmend, qëllimi final i Kinës është që të dërgojë një astronaut në Hënë, siç e konfirmoi zëvendësministri i administratës hapësinore, Wu Yanhua. Për t’i arritur objektivat e tij, Pekini ka siguruar edhe mundësinë për ta hapur sektorin hapësirë për investitorët e huaj.

Qëkurse Kina kreu misionin e saj të parë në hapësirë në 2003, ajo ka organizuar një dalje në hapësirë dhe ka zbarkuar në sipërfaqen e Hënës një automjet të telekomanduar të quajtur “Lepuri i lodhur “, përpara se t’ia dilte me sukses një vit më pas në kthimin e parë të një sonte hapësinore e dërguar përreth Hënës.

/Veritas.com.al/