Vizita e senatorit amerikan, John Mc- Cain, tri ditë më parë Tiranë u ndoq me mjaft interes në lidhje me mesazhet që ajo do të përcillte sa i takon krizës politike në vend- shkruan Koha Jonë.

Por, në fund të takimeve me Presidentin Nishani, Kryeministrin Rama, kryeparlamentarin Meta dhe kreun e opozitës, Basha, nga njoftimi i shpërndarë nga Ambasada e SHBA-ve u mësua se qëllimi i vizitës së McCain në Tiranë nuk lidhej me krizën politike, pavarësisht diskutimeve të realizuara me aktorët kryesorë politikë në Shqipëri.

Qëndrimin e tij në Tiranë senatori amerikan e shfrytëzoi edhe për një takim të rëndësishëm. Kryetari i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit amerikan, McCain, ka zhvilluar një takim me presidenten e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, Maryam Rajavi.

Në fokus të diskutimit mes senatorit amerikan dhe presidentes së Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit ishin zhvillimet e fundit në Iran, ndërhyrja e regjimit klerikal në rajonin e Lindjes së Mesme dhe perspektivat.

Gjatë takimit me presidenten e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, McCain ka falënderuar qeverinë e Shqipërisë për pranimin e anëtarëve të PMOI. Në Shqipëri numërohen rreth 2000 anëtarë të opozitës iraniane të ardhur nga Iraku me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Senatori McCain vlerësoi udhëheqjen e zonjës Rajavi, duke theksuar se:

“Një ditë Irani do të jetë i lirë dhe një ditë ne do të mblidhemi në ‘Sheshin e Lirisë’ në Teheran”.

/Veritas.com.al/