Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka vendosur, me shumicë votash, të mos pranojë nisjen e procedurave për verifikimin mbi ‘shkeljet’ e gjyqtares Irena Gjoka.
Vendimi u mor pas diskutimeve brenda KLGJ-së, ku shumica e anëtarëve argumentuan se çështja nuk bie në kompetencat e drejtpërdrejta të këtij institucioni.
Sipas shumicës, rasti duhet t’i kalojë për shqyrtim Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si organi përgjegjës për hetimin disiplinor të magjistratëve.
Gjyqtarja Irena Gjoka ka qenë në qendër të vëmendjes së opinionit publik pas dërgimit të dokumentacionit nga Prokuroria pranë KLGJ, lidhur me dënimin e saj penal në Greqi. Prokuroria ka kryer hetime të thelluara dhe ka konstatuar se dokumenti i dënimit është i saktë dhe i vlefshëm për t’u shqyrtuar në kuadër të procedurës së verifikimit të statusit të gjyqtares në Shqipëri.
Sipas vendimit të gjykatës së Janinës, Gjoka ishte dënuar me muaj burg dhe 1500 euro gjobë, pasi kishte përdorur vizë të falsifikuar. SPAK ka çelur një hetim lidhur me rastin për akuzën e falsifikimit të formularit të dekriminalizimit.
Komente