Revista New York Times detyroi shkrimtaren e stafit, e vlerësuar me çmime Jazmine Hughes, të jepte dorëheqjen pasi ajo nënshkroi një letër në mbështetje të Palestinës, të cilën media e quajti shkelje të “politikave editoriale”.

Hughes dha dorëheqjen nga revista të premten pasi nënshkroi një letër ku shprehte mbështetje për palestinezët dhe protestonte kundër rrethimit të Gazës nga Izraeli.

Dorëheqja e Hughes u njoftua nga Jake Silverstein, redaktori i The New York Times Magazine, në një email drejtuar anëtarëve të stafit të premten në mbrëmje, raporton media turke Anadolu.

“Teksa respektoj se ajo ka bindje të forta, kjo ishte një shkelje e qartë e politikës së The Times për protestën publike. Kjo politikë, të cilën unë e mbështes plotësisht, është një pjesë e rëndësishme e angazhimit tonë për pavarësinë”, tha Silverstein

Peticioni i nënshkruar nga Hughes për luftën Izrael-Hamas u publikua në internet javën e kaluar nga një grup i quajtur Shkrimtarët kundër Luftës në Gaza.

Të premten, një shkrimtar kontribues në revistë, i cili gjithashtu kishte nënshkruar letrën, Jamie Lauren Keiles, tha se nuk do të kontribuonte më në botim. Ai tha në platformën e mediave sociale X se është “një vendim personal se çfarë lloj pune dua të jem në gjendje të bëj”.