Anita Jella dhe Bledar Maksuti do të jenë dy prokurorët e rinj që do t’i shtohen organikës së SPAK. Të tetë anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë që ishin të pranishëm në mbledhjen e sotme, votuan pro emërimit të Jellës dhe Maksutit.
Dy prokurorët e rinj do të ushtrojnë detyrën për një mandat 9 vjeçar pa të drejtë riemërimi.
Përzgjedhja e Jellës dhe Maksutit vjen pas verifikimit që Komision i Posaçëm për verifikimin e figurës ka bërë dhe ka dorëzuar në raportin final pranë KLP.
Ky komision që përbëhet nga 2 prokurorë të SPAK, një gjyqtar i GJKKO, një punonjës financiar i SPAK dhe një agjent i BKH ka vlerësuar se Jella dhe Maksuti i plotësojnë kushtet për të ushtruar detyrën si prokuror pranë SPAK.
Ata kanë kaluar me sukses kontrollin për pasurinë dhe pastërtinë e figurës dhe nuk rëndon ndonjë pengesë ligjore për të penguar ngritjen e tyre në detyrë.
Sa i përket Anita Jellës, ajo ishte e para në renditje si kandidatja me më shumë pikë. Jella që prej 9 majit të vitit 2018 ishte caktuar drejtuese e Prokurorisë së Durrësit.
Ndërkohë, Bledar Maksuti ishte renditur i katërti nga KLP kur u hap gara për 3 vendet vakante në SPAK. Ai kaloi në renditje prokurorin Ndini Tavani, i cili është skualifikuar nga gara pas vlerësimit të figurës nga komisioni i posaçëm.