Koço Kokëdhima, kreu i partisë “Zgjidhja” thotë se zgjedhjet e 25 qershorit ishin më të këqija dhe që nuk prodhuan asnjë lloj progresi.
“25 qershori shënoi zgjedhje pa asnjë progres. Ishin zgjedhjet më të këqija se ato të kaluarat dhe me standardet më të ulëta. Kjo provoi se ne kishim të drejtë për të refuzuar këto zgjedhje. Duke qenë se ishin zgjedhje pa standarde dhe nuk do sillnin ndonjë gjë të re, ato nuk do prodhonin zgjidhje për popullin. “Zgjidhja” bojkotoi këto zgjedhje dhe ftoi edhe popullin për bojkot” – tha Kokëdhima.
Në një intervistë për emisionin “Kjo javë” në News24, ai tha ndër të tjera se pjesëmarrja e ulët në votime dëshmoi se populli ka dëgjuar thirrjen e lëvizjes ‘Zgjidhja’ për bojkot.
“Të zbresësh pjesëmarrjen në 9% është një shifër shumë e lartë. Ne nuk bëmë fushatë për të bërë zë në fletën e votimit, por për të bojkotuar zgjedhjet. Sa më i thellë bojkoti i këtyre zgjedhjeve, aq më shpejt do vijë reformimi i sistemit elektoral. Bojkoti shënoi rekord në këto zgjedhje”- tha Koço Kokëdhima.
Sa i përket rezultatit të zgjedhjeve, ku PS mori 74 mandate, Kokëdhima u shpreh se pavarësisht kësaj PS nuk do qeverisë e vetme, pasi një shumicë e tillë duket sikur prodhon një stabilitet, por është një stabilitet i rremë.
“Sigurisht Rama mund të ndihet më komfort, por mund të ndihet edhe keq, pasi në këto zgjedhje luajtën rol blerjet e votave. Edhe pse me 74 mandate, PS nuk do qeverisë e vetme, pasi shumica e tillë duket sikur prodhon një stabilitet, por është një stabilitet i rremë. Këto zgjedhje nuk i kanë kuruar plagët e Shqipërisë, as plagët e zgjedhjeve, as plagët e ekonomisë, por vetëm sa i kanë mbuluar ato. Unë nuk pres që këto zgjedhje të prodhojnë stabilitet në qeveri. Këto janë zgjedhje të kontestuara dhe të anatemuara” – u shpreh Kokëdhima.