Deputeti dhe negociatori i Partisë Demokratike për reformën në Drejtësi, Oerd Bylykbashi, e ka quajtur të pavlerë mbledhjen e sotme të komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, që u zhvillua pa praninë e opozitës.

Duke folur për mediat pas deklaratës së kreut të komisionit Fatmir Xhafaj, deputeti demokrat bëri të qartë se ligjet që bëhen në mënyrë të njëashme janë të pavlera dhe nuk do të njihen nga opozita pa arritur konsensusin mes palëve politike.

“Mbledhjen e komisionit që mund ta quajmë komisioni Xhafa, pa dakordësuar, është e kotë që të ngremë ligje, ky draft është i pambyllur, është në negocim. Cdo punë që bën ky komision është veprim  i njëashëm. Është e papranueshme, kundër produktive”, u shpreh Bylykbashi.

Sa i përket një skenari të mundshëm që mazhoranca të votojë e vetme në Parlament draftin me ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi, Bylykbashi përsëriti qëndrimin e kryetarit Lulzim Basha për djegien e mandateve nëse vazhdojnë të merren vendime të njëashme.

“Nëse ata do të vazhdojnë kështu, ne e kemi bërë të qartë që do të marrim masa shumë të forta, edhe me djegien e mandateve”, tha deputeti demokrat.