Nga: Radio Europa e Lirë

Komisioni për Liritë qytetare, Drejtësi dhe Çështje të brendshme (LIBE) i Parlamentit Evropian, më 12 janar miratoi marrëveshjen për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Bëhet fjalë për marrëveshjen që është arritur në dhjetorin e kaluar në mes të Parlamentit, Këshillit dhe Presidencës së Bashkimit Evropian, që atëbotë udhëhiqej nga Republika Çeke.

Miratimi i marrëveshjes në këtë komision të PE-së dëshmon se formalizimi i vendimit të bllokut evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën po shkon sipas planit dhe procedurave përkatëse, ku përfshihen institucione të ndryshme të BE-së.

PE-ja ka caktuar deputetin socialist nga Holanda, Thijs Reuten, raportues të saj për dosjen që ka të bëjë me liberalizimin e vizave për Kosovën.

Reuten disa herë ka deklaruar se Parlamenti Evropian do të punojë me shpejtësinë maksimale për këtë proces, i cili, siç ka thënë ai, veçse ka zgjatur shumë.
Diplomatët e BE-së kanë thënë se tashmë ka mbetur vetëm përmbyllja e pjesës formale të vendimit, pasi Presidenca çeke me sukses e kishte përfunduar punën kryesore në dhjetorin e vitit të kaluar.

Përpjekjet e Presidencës çeke ishin kurorëzuar së pari me pajtimin e shteteve të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ky vendim ishte kompromis, sipas të cilit, liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi së bashku me funksionalizimin e sistemit ETIAS, më së voni deri më 1 janar 2024.

Sistemi ETIAS kërkon që qytetarët e huaj, të cilët udhëtojnë pa viza në territorin e BE-së, t’i regjistrojnë të dhënat e tyre në këtë sistem para udhëtimit.

Pas të gjitha shtetet anëtare ranë dakord për këtë vendim, Këshilli nisi negociatat me Parlamentin Evropian për të formalizuar vendimin sipas procedurave të BE-së. Por, me insistimin e Presidencës çeke, mjaftoi vetëm një takim me përfaqësuesit e Këshillit dhe Parlamentit që të arrihej marrëveshje për çështjen e vizave.

Tani ka mbetur që në strukturat punuese të Këshillit të përkthehet teksti i marrëveshjes në të gjitha gjuhët dhe të miratohet sërish nga ambasadorët, në mënyrë që më pas të paraqitet për konfirmim edhe një herë para Parlamentit Evropian.

Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk mund të lëvizin lirshëm në shtetet e BE-së.

Që nga viti 2018, Komisioni Evropian disa herë ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim, por vendimi nuk ishte marrë për shkak se disa shtete kishin shprehur rezerva./REL