Komisioni i Venecias ka nxjerr draft-opinionin për zgjedhjet e 30 qershorit 2019. Sipas këtij dokumenti, zgjedhjet edhe pse u bënë me një forcë politike duke qenë se opozita bojkotoi, ishin në rrugën e duhur.
Ishte Gjykata Kushtetuese ajo qe e dërgoi çështjen në “Venecia” pas padisë së Shoqatës së Bashkive, që në atë kohë drejtohej nga Voltana Ademi. Edhe Komisioni i Venecias në draft-opinion thotë se Kushtetuesja nuk ka kompetenca të gjykojë pavlefshmërinë e zgjedhjeve.
Në vendim ka dhe një qëndrim për Presidentin, i cili i shtyu zgjdhjet në tetor, edhe pse ato nuk u mbajtën. “Presidenti nuk ka të drejtë të shtyjë zgjedhjet në kushtet e mungesës së bazës ligjore; në këto raste gjykata kushtetuese mund të konsiderojë shtyrjen e zgjedhjeve si antikushtetuese”, thotë Venecia.
Për bojkotin e opozitës dhe partive të tjera opozitare, qartësisht thuhet se “bojkoti nuk mund të kthehet në leve të partive për të bllokuar zgjedhjet.”
Megjithatë, ky është një opinion paraprak i cili ju është dërguar palëve dhe do pranohen argumenta kundër, nëse do të kenë, të cilat më pas do të shqyrtohen nga anëtarët e Komisionit të Venecias. Më pas, do të publikohet dhe raporti final, në bazë të të cilit Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë do të japë vendimin e saj.
Pjesë nga draft-opinioni i “Venecias”
Opinioni në përgjigje të kërkesës së GJ. Kushtetuese në kuadër të gjykimit më kërkues Shoqatën e Bashkive (V.Ademi)
Në përmbledhje draft opinioni mban këto qëndrime:
– Gjykata Kushtetuese (GJK) nuk ka kompetencë të shqyrtojë pavlefshmërinë e zgjedhjeve.
– E drejta e partive të marrin pjesë në zgjedhje nuk është detyrim; bojkoti nuk është i pranueshëm dhe nuk mund të justifikojë cenimin e periodicitetit të zgjedhjeve; bojkoti nuk mund të kthehet në leve të partive për të bllokuar zgjedhjet;
– e drejta e qytetarëve për të votuar nuk mund cenohet as me justifikimin e pluralizmit
– sipas op. 2019 – Presidenti nuk ka të drejtë të shtyjë zgjedhjet në kushtet e mungesës së bazës ligjore; në këto raste gjykata kushtetuese mund të konsiderojë shtyrjen e zgjedhjeve si antikushtetuese;
– vendimi i kolegjit zgjedhor që konstaton pavlefshmërinë dekretit të PR për shtyrje zgjedhjesh dhe pse s’është objekt shqyrtimi në GJK nuk mund të nënvlerësohet e të mos konsiderohet.