KOPENHAGEN– Mbahet këtë të enjte në Danimarkë takimi i Komunitetit Politik Europian, takim ky, i cili bën bashkë 45 liderët nga të gjitha vendet europiane.

Në takim merr pjesë dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ai foli për negociatat e vendit për në Bashkimin Evropian, ndërsa tha se Shqipëria nuk po pret, por po vrapon shpejt për përmbushjen e detyrave.

“Nuk po presim, po vrapojmë shumë shpejt dhe do të jemi gati shumë shpejt. Varet nga të mëdhenjtë në dhomë të mos presin më, por të na përqafojnë dhe të na marrin, sepse kjo do të jetë një Evropë e madhe dhe e vlerësuar”, tha kryeministri Edi Rama.

Ai u ndal edhe te Diella, ministrja virtuale e krijuar nga Inteligjenca Artificiale.

Sipas kryeministrit “Diella” po funksionon shumë mirë, pavarësisht kritikave që janë bërë ndaj saj.

“Kjo është diçka e re dhe si çdo gjë e re që është që të përballet me çdo kritikë, gjë që është gjë e mirë. Por kemi provuar se po funksionon dhe shumë mirë. Ka nisur si një asistente virtuale për shërbime publike për qytetarët dhe ka pasur interaktivitet për 1 milion njerëz, për 1 milion shërbime. Së dyti, ai punon për transferimin e legjislacionit të BE-së në legjislacionin tonë”, tha ai.

Shefi i qeverisë rikujtoi sulmet kibernetike të kryera nga Irani ,duke shtuar se Shqipëria ka sot mbrojtjen kibernetike më të fortë në Evropë.

“Kemi qenë në shënjestër, sot kemi mbrojtjen kibernetike më të fortë në Evropë dhe jemi ende shënjestra e armikut të quajtur Iran. Po kundërsulmojnë gjatë gjithë kohës dhe nuk ia dolën të cenojmë sigurinë tonë.”, tha Rama./

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *