Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për pjesëmarrjen tuaj sot në Konferencën e 28 të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të SHBA-Kartës së Adriatikut. Gjeneral Knezevic dhe Gjeneral Kingji, ju falënderoj juve dhe ekipet tuaja për punën e palodhur në organizimin e këtij aktiviteti. Vlerësoj mikpritjen tuaj të ngrohtë dhe mirëseardhjen e përzemërt që të gjithë ne kemi marrë këtu në Tiranë. Një qytet shumë i bukur! 

Të dy vendet tuaja, Bosnja-Hercegovina dhe Shqipëria, kanë treguar udhëheqje të vërtetë në rajon dhe vazhdoni të tregoni angazhim të jashtëzakonshëm për çuarjen përpara të sigurisë dhe stabilitetit nga të cilët të gjithë ne përfitojmë. Dëshiroj gjithashtu të përmend udhëheqës nga pesë vendet e Kartës së Adriatikut: Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, si dhe dy vendet vëzhguese, Kosova dhe Sllovenia. 

Duke pasur parasysh gamën e gjerë të sfidave që kombet tona po përballojnë, është thelbësore që të takohemi rregullisht për të forcuar bashkëpunimin tonë. SHBA-Karta e Adriatikut është një forum i pazëvendësueshëm për të vazhduar dialogun strategjik drejt një Europe të lirë, të sigurt dhe të begatë. Dëshiroj gjithashtu të përmend Gjeneral Adjutant dhe udhëheqësit e lartë të Gardës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara që janë të pranishëm këtu sot. 

Marrëdhëniet e qëndrueshme të krijuara përmes Programit të Partneritetit Shtetëror janë jetike për sigurinë europiane. Pak më parë, së bashku me pjesëmarrësit e tjerë këtu, nënshkrova një deklaratë të përbashkët. Ishte një nder të përfaqësoja Shtetet e Bashkuara në nënshkrimin e këtij dokumenti, një dokument që riafirmon angazhimin tonë për një vizion të përbashkët për Europën Juglindore dhe thekson rëndësinë e koordinimit të ngushtë për sigurinë rajonale. 

Ndërsa kombet tona rrisin shpenzimet për mbrojtjen dhe bëjnë hapa të mëdhenj në modernizimin ushtarak, ne duhet të punojmë së bashku për të siguruar që këto investime të shndërrohen në aftësi të vërteta. Kjo kërkon përqëndrim të vazhdueshëm në përmirësimin e ndërveprueshmërisë, ndërtimin e gatishmërisë dhe zhvillimin e marrëveshjeve mbështetëse. Pas dëgjimit të të gjitha diskutimeve optimiste sot, jam i bindur se mund t’i arrijmë këto qëllime. Faleminderit të gjithë pjesëmarrësve të konferencës së këtij viti për punën dhe përkushtimin tuaj që na solli deri në këtë pikë. 

Grupi i punës për ybatimin ka një program pune rigoroz për vitin e ardhshëm për të siguruar që të përmbushim kërkesat e së nesërmes. Teksa ecni para, dijeni se nuk jeni vetëm në përballimin e këtyre sfidave. Ju mund t’i drejtoheni kolegëve tuaj, aleatëve dhe partnerëve tuaj të SHBA-Kartës së Adriatikut dhe së bashku do të përqafojmë një të ardhme të sigurt, të qëndrueshme dhe të begatë.