
Në një moment kyç për të ardhmen europiane të vendit, Kryeministri Edi Rama ka hapur punimet e Konferencës 3-ditore të Ambasadorëve Shqiptarë, një ngjarje tradicionale që këtë vit merr një rëndësi të veçantë për shkak të fazës vendimtare ku ndodhet procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Rama gjatë fjalës së tij tha se diplomacia ekonomike duhet të jetë prioritet në vijim dhe se kontributi i saj deri më tani është inekzistent. Më tej, Rama tha se Shqipëria do të shkëlqejë ndërkombëtarisht në organizimin e samitit të NATOS në vitin 2027.
“Dua të vë theksin tek domosdoshmëria për të forcuar punën tonë si shërbim diplomatik në funksion të mbajtjes dhe rritjes së komunikimit me faktorët politikë dhe institucional sepse në nivel rajoni kemi interesat më të mëdha strategjike dhe detyrimin të jemi promotor të paqes dhe stabilitetit në Europë. Është me rëndësi të veçantë mirëmbajtja e marrëdhënieve me faktorin shqiptar në rajon dhe të jetë shëmbëlltyrë e qasjes sonë si një komb i përkushtuar ndaj ardhmërisë europiane dhe si një vend tërësisht i përkushtuar ndaj aleancës dhe partneritetit.
Dua të vë theksin te organizimi i samitit të NATOS në Shqipëri në 2027. Më pak se 2 vite nga sot dhe dua të falenderoj ambasadorin dhe ekipin tonë në NATO. Duhet të përmbushim të gjitha pritshmëritë nga ana e Shqipërisë dhe t’i tejkalojmë ato duke e shfrytëzuar si moment ku Shqipëria do të shkëlqej botërisht. Diplomacia ekonomike ku roli i përfaqësimeve tona është i dobët dhe ku raste shumë specifike dhe të veçanta, kontributi është inekzistent. Kemi bërë përpjekje për të shtyrë në këtë drejtim, por rezultatet janë shumë për të dëshiruar, por duhet të jetë prioritar. Qeveria në Tiranë ua ka lehtësuar punën.”
Komente