(Foto: Avigdor Lieberman u ka bërë thirrje Hebrejve të Francës të vendosen në Izrael, “e vetmja përgjigje për këtë komplot”).

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Avigdor Lieberman, u ka bërë thirrje Hebrejve të Francës për ta braktisur këtë vend, që nuk është “toka e tyre”.

Eshtë një fjali e shkurtër që nuk mund të kalonte pa u vënë re. Të hënën, 26 dhjetor, ministri izraelit i Mbrojtjes Avigdor Lieberman e cilësoi konferencën ndërkombëtare mbi Lindjen e afërme që do të mbahet në 15 janar në Paris si “procesi Dreyfus”. Ai u bëri thirrje gjithashtu Hebrejve të Francës për ta braktisur këtë vend, që nuk është “toka e tyre”. Franca do ta organizojë këtë konferencë me pjesëmarrjen e 70 vendeve, por pa izraelitët dhe pa palestinezët, për të përsëritur mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare për solucionin për të dy shtetet.

“Nuk bëhet fjalë për konferencë paqe por për një gjyq kundër shtetit të Izraelit”, ka deklaruar Avigdor Lieberman gjatë një mbledhje të deputetëve të partisë së tij. “Eshtë një version modern i procesit [të Alfred] Dreyfus me shtetin e Izraelit dhe popullin hebre në bankën e të akuzuarve […].” Për vite të tëra , çeshtja Dreyfus – nga emri i një kapiteni të ushtrisë franceze, hebre, i dënuar me burg për spiunazh në 1894, më pas i rehabilituar në 1906 – e ndau thellësisht shoqërinë e kohës dhe mbetet sot një simbol i antisemitizmit.

Nuk ka takim me Abbas-in

Në prag të konferencës, Parisi synon të ftojë kryeministrin izraelit dhe presidentin palestinez për t’u raportuar për punimet, por Benjamin Netanyahu, shumë armiqësor ndaj çdo qasje ndërkombëtare të konfliktit izraelito-palestinez, e ka hedhur poshtë tashmë idenë franceze të një takimi me Mahmoud Abbas-in në Paris.

Franca votoi të premten pro një resolute të OKB-së në disfavor të Izraelit. Ambasadorja e Francës në Izrael u thirr në ministrinë izraelite të Punëve të Jashtme pas këtij votimi. Avigdor Lieberman u ka bërë thirrje nga ana tjetër hebrejve të Francës të vendosen në Izrael, “e vetmja përgjigje për këtë komplot” sipas tij.

Duke përmendur atentatet kundër shënjestrave hebreje në Francë këto vitet e fundit dhe shtimi i akteve antisemite, ministri iu drejua Hebrejve të Francës: “Nëse doni të mbeteni hebrej, ju duhet ta braktisni Francën dhe të vini të vendoseni në Izrael”. “Ky nuk është vendi juaj, kjo nuk është toka juaj, ikni nga Franca dhe ejani në Izrael”, ka goditur ai. Rreth 5 000 hebrej të Francës kanë emigruar në Izrael në 2016, ose 30 % më pak se një vit më parë. Në 2014 dhe 2015, Hebrejtë e Francës kishin siguruar kontigjentet më të mëdha të emigracionit hebre në Izrael, me respektivisht 7200 dhe 7800 emigrantë.