Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mori pjesë në Konferencën kombëtare për arsimin e lartë, ku morën pjesë përfaqësues universitetesh dhe personalitete të fushës së shkencës.
Në këtë konferencë u bë prezantimi i Dokumentit të Politikave të Arsimit të Lartë 2030, me vizionin për të përafruar standardet e arsimit të lartë shqiptar me ato të Bashkimit Europian.
“Ky dokument ka rendësi të madhe për faktin se është një produkt i brendshëm nuk është një dokument që vjen nga jashtë, nuk imponohet nga qeveria, nuk është një përkthim apo recetë e marrë nga ata që zakonisht i quajmë partnerët tanë strategjikë, por është një prodhim i brendshëm i përbashkët i gjithë universiteteve, qofshin ato publike apo private dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, bashkë me Bordin e Akreditimit. Ky dokument është bashkëautorësinë e atyre, që presupozohet që duhet ta çojnë përpara arsimin e lartë. Tani kërkohet fokus dhe secili të luajë detyrën e vet. Do duhet një punë e përbashkët dhe intensive për të bërë adresimet e duhura në ligjin e arsimit të lartë”, tha Rama.
Më tej, Rama kërkoi që kërkimi shkencor të kthehet në shërbim dhe zhvillim të vendit.
“Vinim nga një fazë barbarie në arsimin e lartë, ka qenë dhjetë vite më parë, ku situata në arsimin e larë ishte katastrofë, me 18 universitete, që ishin biznese. Edhe sot nuk mund të them se nuk ka probleme, por sidoqoftë sot kemi që shumë gjëra janë adresuar dhe janë vënë në vend dhe është e rëndësishme tani të jemi realist me njëri tjetrit, që në me vërtetë i kemi hapur doktoraturat, por duhet të synojmë doktoratura të niveleve europiane, jo thjesht doktoraturat për doktoratura. Ajo që besoj se është pika më e rëndësishme është që ndryshimi që ka filluar për të vënë kërkimin shkencor në funksion të vendit, të thellohet. Ti japim shumë më tepër fokus kërkimit shkencor në funksion të zhvillimit të vendit dhe sektorëve”, tha ai.
Komente