Ish-Kryeministri Sali Berisha denoncoi dje në Facebook se 7 efektivë të forcave “Shqiponja” janë shkarkuar nga detyra pasi arrestuan dhe dhunuan kunatin e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, kjo pasi ata nuk e dinin që ai ishte i afërmi i ministrit.
Ky denoncim i ish-Kryeministrit konfirmohet nga burime policore, që sqarojnë se kjo ngjarje ka ndodhur pak ditë më parë në lokalin e kunatit të Saimir Tahirit. Policia mori sinjalizim për një person të armatosur në atë lokal dhe drejt vendngjarjes u nisën menjëherë forcat “Shqiponja”.
Me të mbërritur në lokalin në fjalë, efektivët arrestuan dhe dhunuan kunatin e ministrit të Brendshëm. Nuk është e qartë se cili person ishte me armë në atë lokal. Gjatë këtij momenti, disa persona sinjalizuan dhe lajmëruan ministrin Tahiri për situatën që po ndodhte.
Ndërkohë, forcat “Shqiponja” nuk kishin dijeni se personi që po tentonin të ndalonin dhe po dhunonin ishte kunati i kreut të Ministrisë së Brendshme. Pas pak minutash në vendin e ngjarjes mbërriti eskorta e ministrit Tahiri. Pasi u sqarua situata, 7 efektivë policie janë shkarkuar nga detyra.