Konfirmohet takimi i orës 16:00 mes kryeministrit Edi Rama, kryeparlamentarit Ilir Meta dhe kreut të opozitës Lulzim Basha.
Takimi do të mbahet në Kryesinë e Kuvendit, por pa pjesëmarrjen e dy ambasadorëve, Donald Lu dhe Romana Vlahutin.
Dy diplomatët deklaruan gjatë ditës se nuk do të marrin pjesë në një takim, pasi kreu i opozitës Basha nuk e përmendi në reagimin e tij që diskutimi do të mbështetet në propozimin hibrid të Nuland, por foli për qeveri teknike njësoj si Ilir Meta.
Një ditë më parë Ilir Meta doli në një konferencë për shtyp ku kërkoi prezencën e tij në takimin Rama-Basha, si dhe të dy ambasadorëve Lu e Vlahutin. Nga zhvillimet e dy ditëve të fundit palët janë ndarë në dy koalicione.
Nga njëra anë është Rama dhe ndërkombëtarët që mbështesin propozimin e Nuland, nga ana tjetër është Meta dhe Basha që kërkojnë qeveri teknike.
Mbetet për t’u parë se çfarë do të prodhojë takimi i sotëm.