Policia e Durrësit ka vënë në pranga 8 persona, mes të cilëve dhe ish-deputetin Mark Frroku në lidhje me përplasjen e dhunshme që ndodhi një ditë më parë në zonën e “Kepit të Rodonit” mes disa banorëve dhe përfaqësuesve të kishës për pronësinë e tokës në zonës bregdetare.
Ish-deputeti Frroku mësohet se ka qene i pranishëm në vendngjarje si përfaqësues i kishës katolike dhe për këtë arsye është vënë në pranga.
Një ditë më parë banorët e fshatit Shetaj, B. K., E. R., Y. R. dhe O. R. janë konfliktuar me sende të forta me rojet e parkut, përfaqësues të kishës katolike.
Konflikti ka nisur gjatë kohës kur përfaqësuesit e kishës katolike N. S., M. F., M. L. dhe P. D., po bënin rrethimin e pronës për të cilën kanë certifikatë pronësie.
Përplasja midis këtyre shtetasve ka agravuar me përdorimin e sendeve të forta, pas konfliktit me grushte. Në vendngjarje është gjetur dhe 1 gëzhojë arme zjarri.