Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale se Këshilli i Ministrave ka miratuar shpalljen e qytetit të Konispolit, Ansambël Arkitektonik Urban.

Ky vendim u mor pasi Konispoli është qytet me vlera të veçanta historike dhe kulturore, e në këtë mënyrë i hapet rrugë mbrojtjes, restaurimit dhe promovimit të kësaj qendre me trashëgimi të rrallë.

“Me banesa tradicionale që datojnë në shek. XIX-XX, gjurmë të pazarit të vjetër, arkitekturë karakteristike me gurë të punuar, rrugica me kalldrëm, e deri te lagjet me emra fisesh dhe vendbanimet antike në Qafën e Ktismave, Konispoli përfaqëson një identitet të rrallë urban dhe kulturor në jug të Shqipërisë. Gjatë historisë, Konispoli ka qenë vatër rezistence dhe kulture kombëtare, ndërsa sot ky status i ri përbën një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm përmes turizmit kulturor dhe mbrojtjes së trashëgimisë sonë. Ky vendim vjen si rezultat i punës së Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, në përputhje me Ligjin Nr. 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, për të garantuar ruajtjen dhe valorizimin e pasurive të paluajtshme me vlera të veçanta”, njofton Gonxhja.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *