Gjendja në Kosovë, dhe kryesisht marrëdhëniet e tensionuara me Serbinë dhe vendet perendimore po ndiqet me shqetësim të madh jo vetëm brenda por edhe jashtë Kosovës. Ish-këshilltari i Presidentit të Ksoovës, Hashim Thaçi, Artan Behrami, në intervistë për ABC News tha se Kurti dhe Vuçiç nuk janë të interesuar për paqe afatgjatë.

“Policia ka raportuar se ka pasur shpërthime dhe tani situata është e qetë dhe tani është e vendosur edhe Polica dhe KFOR, që ruan sigurinë. Nuk pres shumë nga takime të tilla, meqë kemi përfaqësuese të dy shteteve që i ngjajnë njëri tjetrit. Ata nuk janë interesuar për të zgjidhur problemet. Ata nuk janë të interesuar të ketë paqe afatgjatë. Mund të kemi një paqe të përkohshme, deri sa njëra palë, ose tjetra të provokojë një situatë deri sa të fillojë “lufta” e fajësimit të njërit tjetrit. Të kthehet qetësia në Kosovë. Çdo konflikt i shërben Vuçiçit”, tha ai.

Ai theksoi se Kryeministri, Albin Kurti, nuk është më i besuari i perëndimit. Sipas Behramit, kjo situatë konfliktuale që qeveria e Kurtit ka krijuar me aleatët nuk i shërben qytetarëve, por i shërben Rusisë dhe Serbisë.

“Në raport me marrëdhëniet ndërkombëtare, karriera politike e tij ka përfunduar pasi nuk i beson askush kryeministrit të Kosovës dhe dëmi është aq i thellë dhe nuk është i rikuperueshëm, nuk mund të kemi paqe mes perëndimit dhe Kurtit si personalitet. Ne po futemi në një krizë shumë të madhe dhe javën që vjen mund të fillojnë seksionet e para kundër kryeministri Kurti dhe rrjedhimisht edhe ndaj Kosovës. Kjo i konvenon Rusisë, Serbisë, sepse Kosova ka mbetur pa aleatë të brendshëm, ka mbetur pa aleatë rajonalë, dhe që është më e keqja që ka mbet pa aleatët ndërkombëtarë”, theksoi ai.

Ai u shpreh se të gjithë e kanë ndihmuar që Kurti të vijë në pushtet, por në këto rrethana kur ai po shkatërron të arriturat e deritanishme të vendit, Behrami shtoi se opozita dhe faktorët e tjerë duhet të bëhen bashkë për largimin e tij.

“Të gjithë kanë ndihmuar që Kurti të vijë në qeveri, por tani ekziston një zhgënjim të madh. Republika e Kosovës është në rrezik nga një perosonalitet autoritar me elementë populiste, që prish Kosovën me aleatët e saj.”, shtoi ai