Ministri i Jashtëm Italian, Antonio Tajani në një konferencë me kryeministrin Edi Rama foli edhe për situatën mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se ka komunikuar me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç për ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë në veri, duke iu kërkuar t’i rikthehen dialogut.

Tajani theksoi se Italia dënon aktet e dhunës ndërsa shtoi se do të vlerësojnë shtimin e forcave të KFOR-it në veri për të shmangur incidente të tjera. Ai thotë mes të tjerash se do të vazhdojnë të bëjnë çdo gjë në mënyrë që dialogu të rifillojë dhe dhuna të zëvendësohet me diplomaci.

“Për sa i përket situatës në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë, Italia gjithmonë ka dënuar dhe vazhdon të dënojë të gjithë aktet e dhunës. Ne punojmë për paqen dhe stabilitetin e atij rajoni. Unë fola personalisht me kryeministrin e Kosovës Kurti, me presidentin serb, Vuçiç, i ftova të gjithë për një zgjedhje që të jetë ajo e paqes, dialogut që të ndalojnë çdo veprim. I pohova se Italia është e gatshme dhe fola me ministrin Crosetto që të vlerësojnë hipotezën e një përforcimi të dispozitivit KFOR për të shmangur incidente të reja dhe viktima të reja.

Puna e ushtarëve italianë atje vlerësohet nga të gjithë, ata kanë sjellë paqen dhe vlerësohen si nga Kosova ashtu dhe nga Serbia dhe besoj se Italia, pikërisht për rolin e vet, për aftësinë e vet se di të dialogojë me të gjithë, mund të vazhdojë të luajë rol për të sjellë paqen me një territor shumë të komplikuar, por zgjidhjet nuk janë kurrë ato të luftës. Zgjidhjet janë ato të diplomacisë.

Ne i ftuam të gjithë që ta shohin veten në deklaratën e presidentit Borrell të 19 shtatorit duke ftuar në të njëjtën kohë të gjithë që të punojmë për paqen dhe të ndalojnë çdo lloj aktiviteti ushtarak dhe dhune në atë rajon sepse dhuna sjell dhunë, kurse dialogu sjell dialog.

Ne do të vazhdojmë të bëjmë çdo gjë që është në dorën tonë në mënyrë që dialogu të mund të rifillojë dhe dhuna nga ana e grupeve ekstremiste të zëvendësohet me diplomaci dhe besoj se është e drejtë që puna e Bashkimit Europian të jetë gjithmonë e më shumë efikase.

Italia gjithsesi do të bëjë pjesën e vetë sepse vendosëm që të jemi të pranishëm në Ballkan, jo vetëm për të pasur oportunitete, por dhe për të kërkuar që të zgjidhim, falë aftësive italiane, problemet më të ndërlikuara.”, përfundoi Tajani.