Një barrikadë është vendosur në fshatin Rudare në rrugën Mitrovicë – Zveçan – Leposaviq, thanë disa serbë të tubuar në barrikadimin e rrugëve për portalet lokale në Veri.
Pas tingëllimit të sirenës, në Rudar ka nisur grumbullim i banorëve të asaj zone.
Rrugët afër Rudarit dhe Zupçit janë të bllokuara, ka konfirmuar për Kontakt Plus zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Besim Hoti.
“Në Zupç dhe Rudar, siç njoftojnë patrullat. Tani për tani, siç raportojnë neve gjendja është e qetë”, tha Hoti, duke thënë se për momentin nuk ka informacione të tjera.
Serbët nga barrikada i thanë agjensionit Srna se kamionë të ngarkuar me zhavorr ishin vendosur dhe se pesë autoambulanca ishin afër barrikadës.
Barrikada, thonë ata, është vendosur në “shenjë revolte dhe kundërshtimi” ndaj vendimit të paralajmëruar të Kosovës që nga mesnata të filloj reciprociteti për dokumente të identifikimit.
Nga pra 17:40 janë ndezur sirenat e alaramit në Mitrovicën e Veriut për arsye të panjohura.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti ka thënë “ka pasur bllokadë rrugore në Zubin Potok afër Varag dhe Rudar. Lajme të rreme janë shpërndarë në komunë që do të bllokohen nga njësitë speciale, e cila absolutisht nuk është e vërtetë, dhe s’ka qëllime të tilla”.
Zëdhënësi Hoti u bëri apel qytetarëve të qëndrojnë të qetë.
Gjithashtu në ngjarje kanë dalë edhe forca paqeruajtëse ndërkombëtare KFOR për të monitoruar situatën në Veri të Kosovës.