Lis Bukuroca
„Mustafa është katastrofë, e di, por Albini dhe Vjosa janë më të këqij…“, tha një dardan që e di ardhmërinë. Në fakt, ai është i vetëdijshëm për dëmin dhe rrënimin e imazhit, që i ka shkaktuar shtetit kjo elitë, por nuk ka idenë si t’i mbrojë oligarkët, pos duke i trishtuar njerëzit nga ajo që nuk e di, por që ai e imagjinon se mund të ndodhë, prandaj e shpërndan si realitet tashmë të përfunduar diku në ardhmëri. Dardani lufton me pasion për mbetjen në pushtet të Mustafës dhe „Klanit“, sepse ai ka frikë se shteti ligjor, do të burgoste mu atë që ai i mbron dhe pastaj do të mbetej fillikat dhe pa idhull.
Ai i konsideron Vjosën dhe Albinin demagogë, sepse ata dy premtuakan shtet ligjor, por paskan ndërmend vetëm të marrin pushtetin. Domethënë: ata dy që premtojnë shtetin ligjor dhe burgosjen e hajnave me pushtet dhe ndoshta edhe sekuestrimin e pasurisë së padrejtë, ata janë demagogë. Ata që ngulfasin shtetin ligjor dhe që kanë vjedhur, ndoshta ende vjedhin, janë më të mirë, sepse e garantojnë ekzistencën e shtetit privat: ku prokuroritë, gjykata dhe policia, nuk guxojnë t’i shqetësojë njerëzit me pushtet, përndryshe këta i rrahin policët në mes të rrugës, ose njeriu bën vetëvrasje me thikë dhe ther veten 11 herë, derisa t’ia nxjerrë shpirtin vetes!
Si e di Dardani se Vjosa dhe Albini do të dëmtojnë më shumë? Ai studion ardhmërinë në filxhanin e kafesë dhe aty ka lexuar se ata dy, do ta vidhnin dhe dëmtonin shtetin sa krejt hajnat së bashku këtyre 10 viteve të fundit. Këtë edhe mund ta dëshmojë Dardani me fakte, sepse ardhmërinë e zezë, e lexon në fundërrinën e zezë të kafesë! Si fallxhorët!
Dhe, ai nuk e ka lexuar vetëm, ai edhe e beson dhe kjo siguri e tij, është tregues se Dardani po trishtohet tok me kriminelët nga shteti ligjor! Ai është traumatizuar dhe nuk di si të pengojë ardhjen në pushtet të njerëzve që nuk kanë vjedhur. Traumatizimi është shkaktuar me anketa ku parashikohet se mbi 50% do të votonin VV-në. Ky është tmerr, ankth dhe mu aty, Dardani lexon ardhjen e stalinizmit, komunizmit, islamizmit, rrjedhimisht të një diktature. Domethënë në filxhan e sheh edhe ditën kur Albini do ta pushtojë „Camp Bondsteel-in“ për ta vendosur aty Rusinë dhe për të ngritur Kalifatin në Kosovë!
Nëse VV fiton 60, apo 70% nuk do të jetë vetëm meritë e Albinit, por është pasojë e abuzimit me elektoratin nga Mustafa, pastaj mos-luftimi i krimit, i korrupsionit, nepotizmit, por edhe mospasurimi i Albin Kurtit në dëm të popullit. Dhe, populli nuk ka harruar sesi iu rrëzua nga qeveri partia që fitoi zgjedhjet. Dhe, nuk ka harruar se qeveria është krijuara jo me fituesen e votave, por me të dashurin e despotit. Është një kontrabandim, një Qeveri pa legjitimitet nga elektorati.
LDK e Ibrahim Rugovës nuk ekziston më. Atë e ka varrosur sa më thellë që ishte e mundur Isa Mustafa. LDK e Rugovës ishte në shërbim të popullit, kjo e sotshmja është në shërbim të klanit të Mustafës, Dullës dhe Veliut. Dy të parët nuk e kanë dashur LDK-në gjersa ishte gjallë Rugova, tani e kanë kidnapuar. LDK akuzon „Klanin“ për likuidime të veprimtarëve, mustafistët financojnë shfajësimin e tyre.
Megjithatë, Dardani është simpatik, ëmbëlak, se po mundohet në të gjitha mënyrat për të ndihmuar mbijetesën e idhujve të vet. Edhe pse diku 15% e popullsisë ka mërguar vetëm dhjetët vitet e fundit! Si i pëlqen Serbisë. Edhe pse arsimi është prishur aq shumë, sa dekadat e ardhshme, këta nxënës të dëmtuar sot, do të kujdesen për ta hedhur Kosovën në prehër të Serbisë. Jo ndoshta me qëllim, por mu si edhe shumë prej tyre sot: nga giga-injoranca, apo obligimet e argatit të jashtëm!
Mos u çudit! Shqiptari shpesh është në shërbim të ndonjë padroni, por jo në shërbim të vetvetes. Prandaj ai nuk mund të kuptojë dhe i përzihen keq frekuencat dhe nuk merr vesh sesi dikush mund t’i shërbejë vendit pa dashur të pasurohet vet, pa dashur të punësojë fisin. Këtë Dardani nuk e ka përjetuar dhe i duket fanta-shkencë, prandaj trishtohet nga Vjosa dhe Albini.
Një numër i shqiptarëve, adhuron keqbërësit e vet, prandaj pa vota nuk do të mbeten edhe rrënuesit e arsimit dhe shtetit, as mafia e veteranëve të rrejshëm, si edhe Serbia që nuk mbetet pa klientët e vet: edhe pse ka dhunuar sa deshi, edhe pse vrau sa i pëlqeu, edhe pse sekuestroi aq kufoma sa i duheshin, megjithatë, Dardani vazhdon të blejë prodhime serbe dhe i ndihmon dhunuesit e vet të djeshëm për të ruajtur vendet e punës. Sepse ai adhuron atë që e dhunon dhe që e dëmton deri në palcë! Madje vëllai i Thaçit, Erdogani, ia pat hapur tregun mallrave serbe, kur Kosova ia pat mbyllur! Kështu kemi arsye për të rritur edhe më dashurinë ndaj tij.
E pse të mos mundohet Dardani për të mbajtur në pushtet hajnat, kur e financon edhe vrasësin e vet dhe kur me paratë e veta kontribuon në armatosjen e Serbisë? Për 20 vjet i dërgoi 10 miliardë në Serbi dhe ende Vuçiqi, nuk i ka dekoruar politikanët për mbështetje të vazhdueshme ekonomisë serbe! Në fakt asaj i duhen lekët për të blerë drone luftarake nga Turqia dhe armë tjera nga Rusia.
Sa më i keq ndaj tij, aq më shumë Dardani të respekton dhe të përkulet! Albini dhe Vjosa i duken UFO me këmbënguljet e tyre për ta çliruar Kosovën nga krimi, për ta çliruar shtetin e Kosovës nga uzurpimi. Dardani është hutuar tmerrshëm. Ai priste nga Albini ndërtimin e shteti ligjor për 45 ditë, çfarë nuk e pret për 45 vjet nga idhujt e vet. Ai nuk kupton botën dhe pyet veten: „Si është e mundur që dikush nuk dëshiron të vjedhë? Si është e mundur që dikush të jetë më i mirë se Mustafa, se Ramushi, se Limaj e se Thaçi? Si është e mundur të mos bëjnë ata më keq se të parët? Këtu i përfundon inteligjenca Dardanit dhe ai kthehet e thotë besimin e vet: „Ata dy janë më të ligë se Mustafa…“
Ai beson se ne jemi të krijuar për t’i shërbyer dikujt: një padroni, një gazde të huaj, por jo shtetit tonë; pushtuesve të djeshëm, apo atyre që duan të na ripushtojnë sot; hajnave të djeshëm, apo të sotshëm. Nëse nuk gjen padron të jashtëm, prodhoje një të brendshëm dhe shtriju! Ose, ngrehi vithet!
Thjeshtë rradakja e Dardanit nuk mund ta zbërthejë, nuk mund ta kuptojë, nuk mund ta shpërbëjë në grimca realitetin dhe ta përkapë, se mbrojtja e krimit, është krim! Se përkrahja e kriminelëve është kriminalitet. Se mbështetja e tradhtarëve, është tradhti! Se duke mbrojtur ata që janë të korruptuar, po rrënon shtetin dhe ardhmërinë.
Dhe, Dardanin ëmbëlak, „Klani“ dhe Mustafa e gënjejnë me heqjen e vizave qysh nga vitit 2011! Ai pret si vogëlush dhe i rivoton ata që i premtojnë heqjen e vizave, por pikërisht ata janë shkaktarë të mos-anulimit.
Dardani nuk e kuptuar ende se demokracia është e shëndoshë, kur nuk rivotohen njerëzit që pasurojnë veten kundërligjshëm: jo kur ata dëmtojnë vendin dhe imazhin. Jo kur ata dëmtojnë arsimin, jo kur ata pasurohen duke e vjedhur shtetin. Ai nuk kupton se edhe Albini dhe Vjosa, duhet të rrëzohen, nëse sillen si kjo elitë, që nga injoranca legjendare, apo obligimi, ka vepruar në favor të Serbisë dhe me të cilën, Serbia është shumë e kënaqur! Tani edhe i burgos, me gjykatën që injoranca e ka krijuar për vetveten!
Sa më shumë që të refuzohen zgjedhjet, sa më shumë që të sulmohet opozita, aq më shumë do të rritet numri i votuesve së Vjosa Osmanit dhe Albinin Kurtit. Populli nuk dëshiron më hajdutë në krye, që i premtojnë shkapjen e shtetit, pastaj me kapsit bëjnë koalicion duke i thënë votuesin: „Ne jemi Parti Institucionale!“, dhe duke i kërkuar elektoratit të harrojë se çfarë i ka premtuar! Albini nuk mund të dëmtohen me: stalinist, islamist, e komunist, por vetëm me fakte se është pasuruar padrejtësisht më shumë se Mustafa dhe „Klani.“
Kudo në botë merren me Qeverinë, me vendimet e Qeverisë, në Kosovë merren me opozitën. Arsyeja? Hajnat janë traumatizuar nga anketat dhe përqindjet. Pallati mafioz është në shembje e sipër! Shtetit privat të disa vetave, po i vjen fundit. Është në pyetje vetëm dita, jo më mundësia!
Edhe një në fund: LDK duhet të marrë seriozisht deklarimin e Ibrahim Kelmendit se një qeveritar gjerman, që sot qenka ambasador i Gjermanisë në Serbi, ka treguar se Bujar Bukoshi dhe Isa Mustafa, kanë dërguar 500 milionë dm në Serbi. Ata nuk paskan pasur informata atëherë, a ishte investuar atje ajo shumë, apo i ishte dërguar Millosheviqit. Kryesia e LDK-së duhet të kërkojë sqarim dhe prezantimin e dokumentacionit, hyrjet dhe daljet bankare, për të përgënjeshtruar lajmin. Heshtja është pranim i fajit. Ndoshta edhe shuma nuk ishte sa thuhet, ndoshta ishin 5, apo vetëm 50 milionë, por e ka rritur shumën për t’i zgjuar shqiptarët nga gjumi. Sikur të mos ishte dërguar asgjë, nuk do ta kishte pohuar kurrë, jo para një personaliteti, që ishte ndër themeluesit LPK-së dhe UÇK-së./Revista Drini/