Zgjedhje për Tiranën në 9 nëntor? Kreu i KQZ nuk thotë as po as jo. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e mban pezull, por në rast se e zhbllokon më 31 tetor, Celibashi nga ana organizative e merr përsipër.

“Procesi i përgatitjes së zgjedhjeve kërkon natyrisht një periudhë kohore të caktuar, kodi zgjedhor e përcakton s’mund të bëhen 30 ditë para vakancës. Edhe pse ky është një rregullim ligjor, jo kushtetues. Por asesi kjo nuk do të thotë se në mungesë të këtyre 30 ditëve, kjo e bën të pamundur procesin zgjedhor në datën 9 nëntor edhe në Bashkinë e Tiranës. Nuk është kaq thelbësore. Nuk lidhet vetëm më zhvillimin e fushatës. Fushata mund të jetë 7, 6, 5 ditë, është kompetencë e KQZ. Janë një sërë aspektesh të tjera, të themi që i mbarojmë 2,3 ditësh apo 24 orë”

Celibashi nuk i frikësohet anës juridike, por anës politike. Problemi janë vonesat dhe ankesat. Dhe ai e di, se i pari për këto është vetë doktori.

“Janë disa të drejta që subjektet i kanë të garantuara nga kushtetuta dhe kodi zgjedhor. Partitë politike, koalicionet, kandidatët do të regjistrohen, kanë të drejtën e tyre për tu ankuar. Dhe kur vijmë tek kandidatët, kemi rastin e kandidatëve të pavarur, kandidatët e pavarur do të duhet të regjistrohen nëpërmjet një procesi që jo vetëm kërkon, kohë, ditë, përmban dhe disa të drejta që nuk ua mohon atyre.” 

Gjykata Kushtetuese e pezulloi dekretin, por kryekomisioneri shpreson që t’i japë një dorë edhe për 9 nëntorin.

“Të presim datën 31. Do ti rregullojnë ata pasojat, Gjykata Kushtetuese, a do të shprehen edhe për këtë? Përsëri është kompetencë e tyre. Dhe askush smund të thotë se duhet të ishte marrë kështu, duhet të ishte marrë ashtu. Secili pastaj do e kuptojë, do e lexojë atë vendim siç do ai”

Doktori nga ana tjetër, e bëri të vetën. I doli garant deri tek Gjykata Kushtetuese. 

 “I garantoj qytetarët e Tiranës se duke respektuar plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe duke dënuar me forcën më të madhe edhe njëherë aktin e shëmtuar dhe të papërgjegjshëm të presidentit kukull të Edi Ramës, asgjë nuk do mund të nxirret jashtë kuadrit kushtetues.”

Sepse doktori këtë të premte, nuk u duk shumë i mërzitur me Celibashin. Ndryshe nga Rama, Florjan Binaj e refuzoi në fushatë, ndaj dhe doktori në vend të një kollare portokalli, doli me një kollare ngjyrë limoni. Pasi piu një gllënjkë uji, u përgjigj.

“E përshëndes plotësisht këtë deklaratë. Nëqoftëse është i pavarur nuk ka pse të bëjë asnjë fushatë me kryetarët e partive.”/

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *