Nga: Adriatik Doçi
Miranda Rira ka drejtuar Bashkinë e Përrenjasit gjatë periudhës 2015-2019 si përfaqësuese e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në maj të 2015, gjatë fushatës për zgjedhjet lokale, Ilir Meta, në atë kohë kryetar e LSI, e prezantonte zonjën Rira me krenari, e cila do të bënte të rinj që ndërtonin të ardhmen e tyre aty. “Krenar që mbështes Miranda Rirën. Kandidatja Rira do realizojë atë çka ju prisni për bashkinë tuaj të re. Le ta votojmë, është zgjedhja dhe drejtimi i duhur për bashkinë e Përrenjasit. Sfida e saj ta bëjë bashkinë e re që të rinjtë të mendojnë ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu”, thoshte Meta.
Koha tregoi se Miranda Rira punoi për rrethin e saj familjar dhe fisnor. Bashkia e Përrenjasit u mbush me shpejtësi me tarafin e saj, një mentalitet ky tipik i LSI-së. Vajzën e motrës, Mirela Dashin, e emëroi kunatën Servete Rira në bashki, vajzën e dajës Dashurie Çollaku specialiste, inspektor finance, djalin e dajës, Bergin Karaj, specialist të emergjencave civile, djalin e tezes. Enver Alla, roje shkolle, djalin e tezes Ervin Balla, specialist i emergjencave civile, kushërirën Nasibe Kanani inspektor për mbrojtjen e konsumatorit, në pozicione të tjera dalin e dajës Ilmi Karaj, djalin e motrës Mili Vasku, djalin e dajës Irfan Bogdani, djalin e tezes Ilir Balla, djalin e krushkut etj.
Ditët e fundit Miranda Rira ka përfunduar në SPAK. Ajo është kallëzuar nga kryebashkiaku aktual Nuri Belba, lidhur me një tender për fushën e sportit me fond limit 82, 544, 578 lekë. Dosja ka përfunduar në SPAK me akuzën për shpërdorim detyre. Rira reagoi sot, duke e konsideruar dosjen si një sulm politik, pas të cilit, sipas saj, qëndron Taulant Balla. Megjithatë, për këtë çështje do të shprehet SPAK dhe më pas Gjykata Speciale.
Në tetor 2018, Bashkia e Përrenjasit me në krye Miranda Rirën njoftoi tenderin për fushën e sportit. Një nga kompanitë kundërshtoi kriteret si arbitrare në Komisionin e Prokurimit Publik. Komisioni, me vendim nr. 834/2018, dt. 12. 12.2018 përmbysi kriteret teknike të shpallura nga bashkia, duke diktuar disa kritere të tjera, më të pranueshme. Vendimi i KPK-së është ankimuar në Gjykatën Administrative. Edhe pse animimi në gjykatë nuk i pezullon procedurat, aktualisht tenderi figuron i pezulluar.
Ndërkaq, gjatë drejtimit të bashkisë nga Miranda Rira, Shqiptarja.com ka identifikuar të paktën 20 tendera me ‘flamur të kuq’, që do të thotë me procedura të dyshimta dhe më risk të lartë për abuzime të mundshme. Konkretisht, këto procedura karakterizohen nga mungesa e garës, skualifikim i të gjithë operatoreve konkurrues përveç fituesit etj./Shqiptarja.com/
VERITAS.COM.AL/