Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sërish mbështetësit e opozitës se kush kryen krim elektoral nuk do të lejohet të dalë jashtë vendit për 5 deri në 10 vite.

Në një takim me banorët e njësisë administrative nr.1 në Tiranë, Rama tha se kjo masë do të kalojë nesër në Parlament.

“Nuk do lejohet të dalin nga vendi 5-10 vite kush kryen krim elektoral. Kjo masë do të kalojë nesër në Parlament. E gjithë kjo rrëmujë bëhet nga frika e reformës në drejtësi. Keqardhje për ata që i ndjekin se po përfundojnë burgjeve. Shkojnë në burg për Lulin dhe për fallxhoren. Ata nxisin njerëzit të bëjnë rrëmuja, vetë flenë në shtëpitë e tyre”, deklaroi Rama.

Kjo deklaratë e Kryeministrit vjen pas tensioneve të krijuara ditët e fundit në KZAZ-të e vendosura në bashkitë që drejtohen nga të djathtët, që çuar në arrestimin e mbështetësve të PD e punonjësve të bashkive.

Komisioni Ligjeve pranoi dhe votoi pro amendamentit të deputetit Ervin Bushati për ndryshimet në Kodin e procedurës Penale për krimet zgjedhore. Deputeti socialist ka kërkuar ashpërsimin e Kodit Penal, duke shtuar se personi që cenon zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratike, do t’i ndalohet dalja jashtë territorit të Shqipërisë për 5-10 vjet.

Ligji do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

Veritas.com.al/