
Prokuroria e Korçës pas 7 vitesh ka zbardhur rrethanat e vdekjes së Antonio Karafilit, i cili në vitin 2018 u raportua se kishte vrarë veten duke u varur në një pemë.
Nga indiciet dhe provat biologjike rezulton se Rexhep Vathi dhe Kejsi Spahillari kanë mbytur me çarçaf Antonio Karafilin dhe me pas e kanë varur në pemë, duke inskenuar vetëvrasjen e të riut.
Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për ish-partneren e të riut, Kejsi Spahillari, e dyshuar për vrasjen e të riut.
Motivi i krimit dyshohet të jetë lidhja paralele që Kejsi Spahillari kishte me viktimën dhe Rexhep Vathin.
Për këtë ka folur e ëma e Kejsit, e cila mbron të bijën duke thënë se çdo gjë është e stisur.
Sipas saj, vajza nuk ka lidhje në vrasjen e Antonio Karafilit, siç pretendohet dhe akuzohet nga Prokuroria e Korçës.
“Asnjë gjë nuk është e vërtetë, çdo gjë është një sajesë. Çdo gjë është e stisur, nga fillimi. Ka qenë komplet ndryshe historia që në fillim. Nuk e di çfarë të them, jam e shokuar. Po e dëgjoj për herë të parë. Këtë person e kam dëgjuar nga historia që ka dalë. Nuk ka mundësi që pa pasur ndonjë gjë konkrete të shpiket kjo histori. Si ka mundësi që në kaq vite policia nuk është në gjendje të zbulojë një krim… dhe të bazohen vetëm në fjalë, në sajesa.
Kejsi kur e gjeti bashkë me të ëmën e ka prekur dhe e ka prerë çarçafin. Edhe unë e kam prekur me dorë çarçafin kur e kanë sjellë djalin në shtëpi. Nuk kishte arsye që Kejsi ta bënte këtë gjë. Çdo gjë shpifet dhe besohet, si ka mundësi që çdo fjalë e thënë pa asnjë bazë të merret e mirëqenë. Të bëhesh një person vrasës pa pasur asnjë provë… Kejsi nuk ka lidhje fare.”
Ishin në Korçë, kishin pasur një grindje, kishin shkuar në Voskopojë. Kishin dashur të zbrisnin, ai nuk kishte dashur pas grindjes. Kejsi e kishte lënë aty, kishte marrë të ëmën dhe të vëllain duke i thënë se “nuk do të zbresë”. Kanë shkuar dhe e kanë gjetur. E ëma tha që e ngritëm peshë. Nuk e kam idenë e kësaj… nuk e di çfarë kanë sajuar gjatë rrugës. Kërkoj vetëm drejtësi dhe të zbulohet kjo. Është mëkat të bësh vrasës një person që nuk është”, tha ajo.
Komente