Komisioni Europian pritet të zyrtarizojë sot afatet dhe hapat e mëtejshëm të negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe vendet e tjera kandidate.

Shqipëria ka si objektiv mbylljen e bisedimeve me Brukselin brenda vitit 2027 dhe anëtarësimin e plotë deri në vitin 2030. Komisionerja Marta Kos do të paraqesë sot në Parlamentin Europian raportin e progresit dhe udhërrëfyesin për zgjerimin e mëtejshëm të Unionit.

Më 13 tetor të këtij viti, Shqipëria mbylli kapitullin 20, që ka të bëjë me ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe politikat industriale, bisedimet për të cilat u hapën zyrtarisht më 22 maj të 2025.

Në fokus është promovimi i një ekonomie konkurruese, të qëndrueshme dhe të orientuar nga inovacioni.

Ky kapitull është negociuar së bashku me shtatë kapitujt e tjerë, si pjesë e grupkapitullit të 3-të, që përfshin fusha si transformimi dixhital, taksimi, politika ekonomike dhe shkenca.

Më 14 korrik të këtij viti, Shqipëria mbylli tre kapitujt e parë të negociatave me Bashkimin Europian. Vendi konsiderohet i njësuar me standardet europiane në kapitullin 25 “Kërkimi shkencor”, kapitullin 26 “Arsimi dhe kultura” dhe kapitullin 30 “Marrëdhëniet me jashtë”.

Objektivi i qeverisë shqiptare është përmbyllja e të gjithë grupkapitujve deri në fund të vitit të ardhshëm, me qëllim që anëtarësimi i plotë në familjen europiane të ndodhë brenda 2030.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *