Kanë kaluar disa orë që nga dje pasdite kur gjatë një përleshjeje me armë në Lushnjë mbeten dy viktima. Refleksioni prej atij momenti na sjell prova se ‘të ;irët’ jashtë qelive janë shumë të lidhur me ata që ndodhen në burg për krime kundër jetës së njeriut.
Aldo Bare (Alfred Shkurti), gjatë kohës në liri ishte herë nëpunës shteti e herë biznesmen i pasuruar me disa prona të përftuara në rrugë të ndryshme. Por kur u burgos, mbi të rënduan akuza të rënda vrasjesh dhe veprash horrorifike.
Edhje pse ndodhet në burg, Aldo Bare influencon krimin jashtë hekurave. Njësoj siç tha ambasadori Amerikan Lu për Emiliano Shullazin, një i burgosur tjetër për krime shumë të rënda, por që drejton trafikun e drogës, që nga burgu.
E njëjta gjë me Aldo Baren. Dy të rinj në Lushnjë, sigurisht me precedentë penal, u vranë për ‘llogari’ të të burgosurit të përjetshëm.
Viktimat e djeshme Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi njihen si miqtë e ngushtë të Xhulio Shkurtit, djali i vëllait të Aldo Bares (Alfred Shkurtit). Ky i fundit mbeti i plagosur me 25 shtator të vitit 2016 së bashku me shokun e tij Saimo Xheliu 25 vjeç në të njëjtën zonë ku ndodhi ngjarja e sotme.
Për ngjarjen e vitit 2016 ku mbetën të plagosur Shkurti dhe Xheliu nuk u arrestua asnjë person ndërsa i dyshuari kryesor nga policia ishte Laert Haxhiu 25 vjeç. Ky i fundit ka vrarë shokun e Aldo Bares, Gerti Lala i njohur me nofkën “Iriqi” në vitin 2009. Haxhiu doli nga burgu për vrasjen në fund të 2014-ës, ndërsa u arrestua sërish në Qershor të vitit 2015 për trafik heroine gjatë operacionit të koduar “Smart”.
Në momentin e arrestimit, Laert Haxhiu tentoi të arratisej me këmbë dhe u hodh nga një mur i lartë 4 metra, ku theu këmbën. Në momentin e prangosjes, ai i tha policisë se u largua pasi mendoi se ishin njerëzit e Aldo Bares që e ndiqnin dhe u frikësua. Haxhiu kishte një linjë autobusësh me Greqinë dhe dyshohet se bënte edhe trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Tetë muaj para arrestimit, Laert Haxhiu kishte dalë nga burgu për vrasjen e shokut të Aldo Bares, Gerti Lala me nofkën “Iriqi”.
Babai i Xhulios Ramadan Shkurti u ekzekutua në vitin 1997 nga Artur Daja dhe bashkëpunëtorët e tij.
Me sa duket historia e hakmarrjes mes bandave të Lushnjës po vijon ende sot pas rreth 20 vitesh.
Ata e lënë ‘litarin jashtë’ burgut dhe dikush e tërheq sa herë iu duhet atyre në burg.
Veritas.com.al