Menjëherë pas kthimit nga Moska kryeministri Edi Rama mblodhi sot Komitetin Kombëtar të Sigurisë, lidhur me masat e marra deri më tani për parandalimin e Koronavirusit në vend.
Rama tha se deri më tani, nuk ka asnjë të konfirmuar me Koronavirus, ndërsa theksoi se në rast se do të jetë e nevojshme ngritja e karantinës, ajo do të jetë në Shtëpinë e Pushimit të Ushtarakëve në Durrës.
“Deri tani nuk kemi asnjë rast të konfirmuar. Janë testuar në ISHP deri sot 17 raste të dyshuara që kanë rezultuar negative. Situata është ndjekur me vëmendje të vecantë nga Ministria e Shëndetësisë, që ka ngritur që në muajin e parë, task forcën për përgatitjen, parandalimin dhe kontrollin në sfidën e madhe, që është një sfidë që na takon ta përballojmë ne, sipas rekomandimeve të OBSH, duke ndërtuar një strategji me të gjithë hapat në funksion të parandalimit të infeksionit në vendin tonë.
Është për të ardhur keq që kudo bëhet politikë, kudo ka debat, askund tjetër nuk ndodh që individë të zëshëm me mandat politik, të bëjnë ato që kanë bërë gjatë këtyre ditëve, duke përhapur panik, qoftë sa i përket kushteve dhe impaktit të një zone të karantinuar. Askund në asnjë pikë të globit nuk ekziston që karantinat të ndërtohen nëpër male, pyje, larg zonave të banuara. kjo është një shpikje në vazhdën e ushqyerjes së infodemisë. Në rastin e parë që do të kemi nevojën e karantinës, kemi caktuar të ngrihet në Shtëpinë e Pushimit në Durrës, me OBSH është konstatuar përmbushja e kushteve, me garanci për të gjithë.” u shpreh Rama.
Ai tha gjithashtu se Shërbimi infektiv në QSUT dhe spitalit “Shefqet Ndroqi” ose Sanatoriumi kanë në gatishmëri boxe për terapi intensive. “Gjithnjë të konfirmuara nga OBSH. Urgjenca kombëtare mjekësore ka marrë masat për të përballuar 5000 thirrje në ditë, momentalisht ka 1500”, deklaroi kryeministri.