Presidenti Biden po dërgon ndihmë ushtarake shtesë për Izraelin pas sulmit të Hamasit në Izraelin jugor.
Shtëpia e Bardhë tha se zoti Biden kishte folur me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për “sulmin e paprecedentë dhe të tmerrshëm”.
SHBA po punonte gjithashtu për të verifikuar raportet se qytetarët e saj ishin në mesin e të vrarëve dhe të zënë rob, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken.
Izraeli thotë se më shumë se 600 njerëz janë vrarë dhe 100 janë rrëmbyer.
Në Gaza, të paktën 313 njerëz janë vrarë pas sulmeve hakmarrëse ajrore izraelite, sipas zyrtarëve palestinezë.
Ndihma e mëtejshme ushtarake për Izraelin do të dërgohet në ditët në vijim, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, duke shtuar se SHBA po punon për të siguruar që armiqtë e Izraelit të mos përpiqen të përfitojnë nga situata.
Pentagoni tha se po dërgonte avionë luftarakë në rajon dhe marina amerikane po lëvizte gjithashtu disa anije – duke përfshirë një aeroplanmbajtëse – në Mesdheun lindor.
Z. Blinken tha se zyrtarët po shikonin raportet se shtetasit amerikanë ishin kapur nga militantet e Hamas.
“Ne kemi raporte se disa amerikanë janë në mesin e të vdekurve. Ne jemi duke punuar shumë aktivisht për të verifikuar ato raporte,” i tha ai TV amerikan të dielën. Vende të tjera, përfshirë Britaninë e Madhe, Francën, Ukrainën dhe Tajlandën kanë raportuar gjithashtu vdekje
Ai tha për ABC se “ky është një sulm masiv terrorist që po vret civilët izraelitë në qytetet e tyre, në shtëpitë e tyre dhe siç e kemi parë në mënyrë grafike, fjalë për fjalë duke tërhequr njerëz përtej kufirit me Gazën.
“Pra, ju mund ta imagjinoni ndikimin që ka kjo në të gjithë Izraelin. Dhe bota duhet të revoltohet për atë që ka parë.”
Qindra njerëz ende raportohen të zhdukur pas sulmit. Midis tyre është 23-vjeçari amerikano-izraelit Hersh Golberg-Polin, i cili ishte në një festival muzikor në shkretëtirë, i cili u sulmua nga militantët. Prindërit e tij i thanë Jerusalem Post se morën dy mesazhe nga ai ku lexonin: “Të dua” dhe “Më fal”.
Ambasadori i Izraelit në SHBA, Michael Herzog, i tha CBS News se ai e kuptonte se amerikanët ishin në mesin e ushtarëve dhe civilëve të rrëmbyer në Izraelin jugor, por nuk kishte detaje.