Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme në Republikën e Shqipërisë, Olsian Çela, pas përfundimit të mbledhjes së përgjithshme me prokurorët, ka deklaruar se “masa drastike duhen ndërmarrë në sistemin e drejtësisë”.
Sipas tij, sistemi ka shumë vakanca.
“Ne patëm një takim dje. Ka qenë një shqetësim, që e kam paraqitur dhe në takimet e tjera, urgjencën e ndërmarrjes së një Harte të re Gjyqësore”, tha kryeprokurori.
Ai ka theksuar se, një plan afatmesëm do arrijë të amortizojë vakancat e shumta në sistem.
“Rigrupimi i prokurorive mendojmë se do të krijojë një shpërndarje më të drejtë të punës mes prokurorëve, si dhe një ngarkesë të përballueshme, por prurjet e reja janë çelësi i zgjidhjes”, deklaroi Çela.
Të mërkurën e 13 tetorit, në takimin e zhvilluar me kryetaren e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), Naureda Llagami, kryeprokurori “miratoi në parim” Hartën e re Gjyqësore.
Çela shprehu dakordësinë e tij në parim për miratimin dhe zbatimin e këtij dokumenti. Kjo në funksion të rritjes së eficencës dhe kapaciteteve njerëzore në sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka shprehur rezerva për planin e KLGJ-së.
Kjo e fundit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, më 8 qershor ka hartuar një projekt, që i është dërguar për shqyrtimin Ministrisë së Drejtësisë.
Sipas projektit, Këshilli ka propozuar që nga “22 gjykatat e rretheve gjyqësore me juridiksion të përgjithshëm, gjashtë gjykatat administrative të shkallës së parë dhe gjashtë gjykatat e apelit me juridiksion të përgjithshëm të riorganizohen në 12 gjykata me juridiksion të përgjithshëm dhe dy gjykata administrative në shkallë të parë, dhe një gjykatë apeli”.
Me fjalë të tjera është kërkuar një ulje e numrit të gjykatave.
Në deklaratë shkruhet se “Harta e re Gjyqësore do t’i shërbejë optimizimit të burimeve njerëzore dhe financiare, rritjes së eficiencës së gjykatave, përmirësimit të shpejtësisë së gjykimit dhe aksesit në drejtësi të qytetarëve”.
Këshilli i Lartë Gjyqësor e ka cilësuar hartën si çelësin shumë të rëndësishëm për zgjidhjen e sfidave të sistemit gjyqësor, lidhur me ngarkesën e punës, delegimet, aksesin, koston dhe efektshmërinë.
Akoma nuk është bërë me dije nëse Ministria e Drejtësisë ka pasur të njëjtën qasje sikurse Këshilli.