Persiatje pas një interviste të papublikuar/

Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha ka folur për herë të parë në lidhje me listat e kandidatëve për deputetë të bërë publike nga PD. Në një intervistë të gjatë të dhënë për gazetarin Lutfi Dervishi në TVSH, ish-lideri demokrat ka vendosur të mbajë një qëndrim neutral.

Megjithëse intervista do të transmetohet nesër në mbrëmje janë zbardhur edhe disa prej përgjigjeve të ish-kryeministrit. Ai nuk ka folur për konfliktet e brendshme të PD-së: “Njeriu i fundit që mund të pyetet për problemet e brendshme jam unë. Statusi im është i tillë. Çdo lloj qëndrimi publik do më nxirrte nga statusi i një njeriu të dorëhequr përgjithmonë” i ka thënë ai Dervishit.

Por megjithëse nuk ka dashur të komentojë këtë konflikt në mënyrë të tërthortë Berisha edhe ka pranuar se në lista ka diçka që nuk shkon duke pohuar: “Kryetari ka pranuar që këto janë listat e fundit që bëhen në këtë mënyrë” edhe e ka mbrojtur më pas Bashën: “Kryetari ka të drejtë të ketë listën e tij”.

E çuditshme është edhe një përgjigje tjetër e Berishës kur është pyetur për reagimet e forta të Jozefina Topallit dhe Arben Imamit që kërkuan largimin e menjëhershëm të Bashës me pretendimin se ai në zgjedhje po fut klientelën familjare dhe jo PD. Por për këto qëndrime të zjarrta Berisha është përgjigjur ftohtë: “Nuk kam asnjë koment”.

Ky qëndrim i tij i ka bërë edhe më të forta hamendjet: me kë është në këtë konflikt Sali Berisha??? A po mbështet ai pa kushte Bashën? Apo thjeshtë nuk do të dëmtojë PD-në në fushatë dhe më pas do të shprehet për zgjedhjen e kryetarit të PD-së që do të bëhet në korrik?

Edhe në këtë pikë doktori ka qenë evzaiv. Kur është pyetur se çdo të ndodh me Bashën nëse humbet ai ka thënë se: “kryetari aktual ka përcaktuar që do të bëjë zgjedhjet e partisë”. Ndërsa kur Dervishi ka insistuar nëse do zbatohet standardi i vënë nga vetë Berisha që ai që humbet largohet ai ka thënë: “Kjo ishte një zgjedhje personale. Ky kriter nuk është i domosdoshëm për të gjithë”.

Pra kush ka shpresuar që doktori të mbajë qëndrim për sherrin e brendshëm mes Bashës dhe kundërshtarëve të tij do të mbetet i zhgënjyer edhe nga intervista e të premtes në mbrëmje në TVSh. Me sa duket Berisha nuk do ti kënaqë deri në korrik, as ata që mendojnë se ai përkrah të gjitha zgjedhjet as ata që besojnë se ai fshihet pas të gjitha zgjedhjeve të pasardhësit, as të tjerët që shpresojnë se tashmë ai është mërzitur në mënyrë të pakthyeshme me Bashën.

/Veritas.com.al/