Nga: Nard Ndoka, kryetar i PDK/
Debatet në partinë më të madhe opozitare, janë sponsorizuar këto ditë në mediat proqeveritare, sa të krijohet ideja se kjo parti ka probleme të mëdha, ndaj do duhet të durojmë edhe për ca vite Edi Ramën dhe partinë e tij të shpartalluar!
Rilindja nuk funksionon si parti, nuk voton fare kryetarin, nuk ka debat, nuk ka mendim, nuk ka demokraci, por ka vetem kryetar që ka vjedhur zgjedhjet dhe po keqqeveris vendin prej pesë vitesh!
Kjo është e keqja më e madhe e vendit; ‘rilindje’ që nuk lindi kurrë dhe qeveri e lindur nga krimi, droga, korrupsioni, oligarket, shokët dhe shoqet e kryeministrit!
Mungesa e demokracisë në PS është problem kombëtar dhe interes i drejtpërdrejtë për publikun, sepse është parti që po qeveris vendin duke dhunuar çdo institucion e duke i shpallur luftë çdo qytetari me taksat dhe fodullëkun e saj!
Partia Demokratike është partia që lindi si shpresë për të gjithë shqiptarët; drejtoi vendin për disa vite në pluralizëm. Unë bëj pjesë te kritikët e kësaj partie, kam kërkuar sëbashku me të tjerë reformimin e saj vite më parë!
Sali Berisha mbetet një burrë shteti, autoritar, konseguent, mbajtës i fjalës, por edhe i ashpër deri në ekstrem.
Epoka Berisha është mbyllur me dorëheqjen e tij, sipas gjykimit tim me bilanc pozitiv dhe shumë arritje për vendin dhe PD!
Stafi politik dhe bashkëpunëtorët e z.Berisha nuk kanë arritur ta kuptojnë akoma, se dorëheqja vlen edhe për ta, moralisht dhe politikisht.
Si personazhe të rritur nën hijen e Berishës, tashmë në ‘diellin përvëlues’ të mënjanimit të tyre nga listat e Kuvendit, nuk po dinë ku janë, çfarë kërkojnë dhe ku do të shkojnë.
Shumica e tyre i përkasin rrymës konservatore në PD, alternativa e vetme për ta ishte; ‘rroftë Berisha’!
Personazhe, që nuk krijuan profil politik, që nuk u distancuan kurrë nga gabimet e PD- së dhe të Berishës ndër vite, përkundrazi morën role servilash në parti dhe përfituesish në qeveri!
Kur Olldashi mori kurajën qytetare dhe politike, të konkurojë Bashën në PD, këta sejmenë koniukturash u fshehën poshtë batanijes së Berishës dhe parfumoseshin me ‘pordhët’ e tij!
E braktisën Olldashin dhe statutin, parimet dhe garën, demokracinë dhe detyrën, e qëndruan si tinzarë për të vazhduar më tej si dinin vetëm ata!
Ndaj sot, nuk kanë shkëlqim, nuk krijojnë besim, nuk kanë mbështetje, por kanë vetëm mllef dhe inate; me Bashën dhe ‘kunatin’, me rojën e PD-së, me të gjithë ato që përpiqen të mbështesin PD-në dhe Bashën, si Liderin e Opozitës së Bashkuar!
Të nderuar miq demokratikas që mendoni se kryetari përjashtohet me statut partie, kthjellohuni; çlirohuni nga e keqja, bëhuni kontribues opozitar, zgjeroni rrethin tuaj, ndikoni tek të tjerët në parti, tek aleatet, tek anëtarët e thjeshtë, krijoni alternativa të besueshme, krijoni ekip; atëhere nuk ka statut që e mbron Bashën, sepse shumica shemb me votë kryetarin dhe këdo tjetër!
Unë jam me Ju, nëse Ju jeni me veten Tuaj!
Sali Berishën nuk e largoi statuti, por morali i tij politik dhe qytetar e sidomos ju me keqqeverisjen tuaj.
Epoka Basha në PD sapo ka filluar; mungesa e përvojës, luhatjet në vendimarrje, aksioni si ‘presing’ politik, autoritarizmi fals; e dëmtuan jo pak në startin e tij politik!
Basha mori një goditje në zgjedhje, ku ju të nderuar demokratikas, kontribuat aq sa mundet, fshehuarazi dhe haptas ta sabotoni Bashën dhe Opozitën.
Basha nuk humbi nga Ju, humbi nga konjukturat e pista politike, u përball me drogën, grupet kriminale, korrupsionin qeveritar!
Basha humbi edhe më shumë; se humbi ndërkombëtarët, humbi trajektoren, humbi kauzën, humbi drejtpeshimin, humbi aleatët, ju humbi edhe ju; por askush nuk mund të fitonte në aq pak kohë!
Plagët që ju hapët gjatë mbretërimit Tuaj, indiferenca që ju mbollët, hendeku që ju krijuat me qytetarët, fodullëku, arroganca, e shoqëuan Bashën dhe Opozitën çdo ditë dhe çdo minutë në fushatë elektorale!
Qytetarët na pyesnin për Ju; ku janë, pse janë kundër?! Nuk na hapnin telefonat, nuk na prisnin, harruan partinë, mbushën xhepat dhe tashti na bëjnë moral!
Ja pra, që ju përveç aktivizimit tuaj botërisht kundra kryetarit, ju shoqëronte paralelisht edhe një dozë pakënaqësie e kthyer në urretje, tek votuesit, tek anëtarët dhe militantët e djathtë, aq sa edhe kandidatët e rinj i krahasonin me ju; të gjithë njësoj jeni edhe ju si ata do bëheni, përfitues në pushtet, grindavecë pa karrige dhe të neveritshëm në realitet!
Edhe unë sot, mendoj ndonjëherë si ju, debatoj me kolegët e mi aleatë. Themi që Basha ka defekte, i rendisim ato, analizojmë situatën, ngjarjet, nxjerrim konkluzione, mendojmë sikur të ishte Berisha kryetar; a do të ishte më mirë?!
‘Pse-të’ nuk mbarojnë kurrë, por një gjë është e sigurt; PD-ja dhe Opozita e Bashkuar nuk ka Lider tjetër më të mirë dhe më afër fitores se Lulzim Basha. Ky është mendim dhe gjykim i konsoliduar!
Ju po kerkoni që Luli të humbë, që statuti të shkarkojë Lulin, kur të humbë Luli edhe nje herë tjetër, ka shkarkuar vetën, ju dhe të gjithë Opozitën!
Ju keni kohë të prisni shkarkimin e Lulit, Opozita dhe qytetaret nuk kanë më kohë të presin shkarkimin dhe largimin e Edi Ramës!
Ndaj të nderuar miq, bashkohuni të gjithë, të largojmë Ramën, është detyrë politike, morale dhe kombëtare!