Frrok Çupi/

Aq sa e  qullët  po vinte fushata e zgjedhjeve, saqë njerëzit po mendonin se ‘s’ia vlen’. Në momentin kur u dha njoftimi se kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u nis drejt Shteteve të Bashkuara (sot pasdite), për takimin me administratën e lartë amerikane, gjithçka ka ndryshuar:

Ra vrulli i festës madhështore të ditëlindjes së PS. Kryetari i Rilindjes, në minutat pas lajmit, u mor me një grua që fishkëllente nga ballkoni i shtëpisë së vet. Konflikti mes PS dhe LSI u bë edhe më i nxehtë; nisën të dalin akuzat konkrete ndaj ministrit të Brendshëm që kishte ‘qeverisur’ drogën. Në mediat sociale ra vrulli i mbështetjes ndaj Rilindjes dhe nisi ‘gërr-mërr’ mes kryeministrit dhe simpatizantëve. Shkodra e priti kryeministrin vetëm me 200 vetë. Në kampin e Rilindjes është shtuar paniku; kërkohen 71 deputetë sepse nuk kanë siguri as për 50…

Si në një stuhi detare, ka ndryshuar gjithçka.

Jo veç këto zgjedhje, por ‘një epokë’ e tërë zgjedhjesh ndryshon në vendin tonë me takimin Trump-Basha. Por ndryshon një epokë e tërë demokracie. Zhvillimet e kohëve të fundit sollën idenë se ‘duhet më pak demokraci’ dhe ‘më shumë pushtet’. Ngushtimi i të gjitha pushteteve në një dorë po hynte  fshehurazi përmes ‘timonit’ që do të përfundonte te gjykatat dhe te individi. Të gjitha po zhvilloheshin nën mbikëqyrjen e Shteteve të Bashkuara, por në një administratë që ka humbur zgjedhjet presidenciale. A do të mbyllet kjo ‘epokë’ me vizitën e kryetarit të Opozitës në Uashington?

Do të ndryshojë trendi i përkëdheljes së mbetjeve të diktaturës komuniste. ‘Mbetje’ quhen edhe bunkerët- art, edhe simbolet e diktatorit, edhe parullat për ‘pushtet në një dorë’ edhe ‘qentë lehin, karvani shkon përpara’. Kohët e fundit, Rilindja u ndje e rrezikuar dhe kërkoi ndihmën edhe të armiqve të vet, duke nisur që nga lideri historik Nano. Këta po shtrëngojnë radhët njësoj si në vitet e para kur erdhën në pushtet pas Luftës së Dytë.

Do të ndryshojë ‘dyzimi’ i orientimit të politikës.

Deri tani politika këtu është zhvilluar në ambiguitet: ‘Sa këndej, aq edhe andej’; ose ‘as këndej- as andej’. Politika qeveritare ka qenë me Amerikën, por me pjesën e liberalëve të Obama- Clinton; nuk ka pranuar ardhjen e  presidentit Trump. Porositë nga ‘Soros’ i ka mbështjellë me paketën ‘porosi nga Uashingtoni’, por në fakt janë dualitet pushteti me vetë Shtëpinë e Bardhë… Edhe brenda përbrenda vendit është thënë e po thuhet: “Të gjithë nën një flamur” duke fshehur etjen për pushtet. Po thuhet se ‘nuk i duam partitë e tjera’, duke e përqendruar pushtetin si në vitin ’46.. Edhe politika rajonale- po kaq ambigue: “Jemi me Amerikën, por mund të hidhemi me Moskën”. Para pak ditësh, në një ekran tv kryeministri tha se ‘frymëzuesi është Obama’, kur alternativat e tjera ishin Trump deh Merkel… Rajoni rrezikohej nga Tirana po të vazhdonte paqëndrueshmëria ambigue.

…Fushata po vinte e qullët, njësoj si në inversin e sloganit të Trump “Drain the swamp”.  Çfarë ka ndryshuar për këtë epokë (jo vetëm zgjedhjesh), kjo vjen e qartë pas vizitës në Uashington.

/Veritas.com.al/