Në fjalimin e mbajtur sot në Çadrën e Protestës, kryetari i Opozitës, Lulzim Basha ka kërkuar kthimin në sistemin elektoral maxhoritar. Propozimin ia ka drejtuar Qeverisë, si një mesazh bashkëpunimi në përmirësimin e zgjedhjeve.
Zoti Basha ka pranuar se në vitin 2008, PD në bashkëpunim me PS, kanë ndryshuar sistemin, duke vendosur sistemin ekzistues proporcional.
Sistemi zgjedhor proporcional është vënë në shënjestrën e kritikave dhe analizave si një nga ‘mënyrat’ që ka lejuar ardhjen në Kuvend të deputetëve të inkriminuar dhe të papranuar nga votuesit. Nga protesta përballë kryeministrisë, Basha tha se rikthimi në maxhoritar do të rriste llogaridhënien e deputetëve përballë elektoratit të tyre.
“Kjo është Repubika e Re që në projektin e saj kryesor ka transferimin e pushtetit nga partitë te qytetarët. Sot partitë vendosin kush ju përfaqëson, prandaj ato nuk ju përfaqësojnë se besnikëria e deputetit nuk është ndaj qytetarëve, por ndaj deputetit të partisë. Ky është një gabim i përbashkët, ku PD ka përgjegjësinë e saj për ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Në Republiblikën e Re ku nuk ka 140 deputetë, nga të cilëve 120 nuk u dëgjohet zëri për asnjë ditë në 4 vjet. Në Republikën e Re ku do të mjaftonin 100 deputetë, çdo deputet do të ketë zonën e tij elektorale, qytetarët për t’u përgjigjur vetëm para tyre. Harroje zonën, harroji qytetarët dhe e shikon ç’të punojnë qytetarët me votë. Ky është mekanizmi që siguron lidhjen e vetme me demokracinë. Deputeti do ta ketë fatin të lidhur vetëm me qytetarët. Kështu do të shmangim këtë skenar të zymtë, ku kemi një parlament fasadë”
Sistemi i ri rajonal proporcional që e ndau Shqipërinë në 12 qarqe ishte një propozim i Partisë Socialiste. Argumentet e Edi Ramës në atë kohë ishin se do të shmangeshin dallimet veri-jug në kuvend, do të shtoheshin deputetet femra dhe se do të eliminoheshin të fortët nga politika, pasi sistemi maxhoritar nxiste përplasje të ashpra në zona të vogla.
Pjesë e marrëveshjes ishte votimi me 71 vota i presidentit në raundin e katërt dhe të pestë, apo rregullimi se si bëhej një mocion besimi apo mosbesimi ndaj kryeministrit.